TIRANË, 24 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në qytetin e Sarandës.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se, “të flasësh në Sarandë, për Sarandën madhështore, për Shqipërinë madhështore është më e bazuar se kudo tjetër, pasi në çdo pamje që të shohësh këtë rreth ka madhështi të përjetshme. Saranda, ka një trashëgimi kulturore, natyrore, të jashtëzakonshme. Saranda është treva e bizhuve më të bukura të kulturës së njerëzimit. Ka parkun kulturor natyror më mahnitës, të cilin ndofta, nuk e ka asnjë vend tjetër në botë”.
“Saranda ka madhështinë e njerëzve të vet. Këtu në këtë trevë, shqiptarë, grekë, rumunë, njerëz me prejardhje të ndryshme jetojnë në paqe, harmoni në shekuj. Në këtë kontekst, Saranda dhe jugu është një universitet madhor i lirive dhe i të drejtave njerëzore, respektit reciprok”, tha Berisha.
Pra, u shpreh Berisha, “kjo është Saranda që trashëgojnë sarandiotët, që trashëgon Shqipëria”.
“Po, cila është Saranda jonë sot? – theksoi Berisha. – Saranda, sot është qyteti i burrave dhe grave të moshuar, të cilët pasi kanë shkrirë jetën e tyre, energjitë e tyre, në këtë qytet dhe në këtë rreth, përjetojnë tiraninë e mjerimit. Përjetojnë një mbijetesë me një pension, më qesharakun, më të pamerituarin”.
“Ne që jetuam diktaturën staliniste të Enver Hoxhës, ne e përmblidhnim atë me një term të përgjithshëm, diktaturë. Por, në fakt ajo ishte diktaturë e luftës së klasave, por ishte po kaq diktaturë me tiraninë e mjerimit dhe të varfërisë që iu impononte shqiptarëve me hiperkolektivizimin e vet”, tha kreu i PD.
Sot, u shpreh Berisha, “nuk ka hiperkolektivizim. Por, sot, pensionisti, punëtori në ndërtim, punëtori i fermës, sot, mjeku, mësuesi, inxhinieri, profesionisti, jeton me një pension i cili çdo ditë e më shumë vështirëson ushqimin e përditshëm, i cili e detyron atë t’u thotë nipërve, mbesave: shkoni, se kaq kam. Këtu nuk ka më për ju! Merrni rrugët e botës! I cili e le këtë zonjë, këtë zotëri, e le pa ilaçe. Këtë javë nuk po i marr ilaçet, se nuk arrij”.
“Cili është ai që arrin të marrë ilaçet me një pension mesatar 172 mijë lekë? Cili është ai që mund të kënaqë veten, apo njerëzit e tij me një pension qesharak si ky? Mos të harrojmë se, 57% e këtyre burrave dhe grave nuk marrin 172 mijë lekë, jo. 57% e pensionistëve i kanë pensionet shumë më të vogla, të pjesshme dhe të pjesshme”, theksoi Berisha.
Pra, shtoi Berisha, “çfarë ndodhi këtu me këtë vend? Si ka mundësi që, përsëri u rikthye pa mëshirë skamja, varfëria ekstreme? Po, po! Sepse, çmimet nga viti 2013 gjer sot, janë mbidyfishuar ushqimet dhe gjërave bazë. Litri i qumështit është dy herë më shumë, kilogrami i mishit po kështu, buka po kështu dhe ushqimet me radhë”.
“Ekonomistët kanë faktuar se në qoftë se pensioni duhet të ndiqte rritjen e çmimeve, të ishte pak më shumë, ai sot duhet të ishte 390 mijë lekë”, tha më tej Berisha.
Pra, vijoi ai, “një pensionist që merrte në vitin 2013 një pension 143 mijë lekë, për të jetuar sot siç jetonte atë vit, duhet të kishte një pension 390 mijë lekë”.
“Pse nuk ndodhi kjo? Çfarë pati Shqipëria që nuk ndodhi? Pati ndonjë luftë? Jo, nuk pati. Çfarë pati ky vend? Ky vend pati vetëm një gjë: këta qytetarë u vodhën, u vodhën, sa asnjë qytetar tjetër në Europë. Po pse qytetari i Malit të Zi, që merrte një pension 138 mijë lekë në 2013, merr sot, 450 mijë? Pse qytetari i Maqedonisë së Veriut, që merrte një pension 130 mijë lekë në vitin 2013, merr sot 380 mijë lekë? Po pse qytetari serb, që merrte në vitin 2013 një pension 135 mijë lekë, merr sot 405 mijë lekë? Pse këta?”, u shpreh Berisha.
“Këta nuk patën kryeministra si puna e këtij që t’u thotë: shqiptarët janë dembela. Çfarë dembelash janë pensionistët? Të vret Zoti të nxjerrësh një fjalë të tillë për ta. Por, je hajdut ti, i vjedh ti dhe nuk u jep paratë që meritojnë”, theksoi Berisha në fjalën e tij.