0030 210 33 18 483

Berisha “non grata” dhe asgjëja mbi jetën e shqiptarëve

Juli NDRIKO 21 Maj 2021

Përse tani, 8 vjet pasi Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD dhe kur pjesëmarrja e tij në jetën politike është në nivele kaq të ulta? A është Berisha i vetmi politikan i korruptuar në Shqipëri dhe si duhet interpretuar raporti i DASH për Shqipërinë që deklaron se gjatë vitit 2020 korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. 

Situata postzgjedhore në Shqipëri, megjithëse në dukje e qetë nuk është aspak e tillë. Ndonëse zgjedhjet përfunduan dhe raportet paraprake i cilësuan ato si të lira, akuzat për vjedhje të votave, manipulim të rezultatit dhe përdorim të pushtetit në funksion të tyre nuk munguan. Opozita, e cila nuk e ka njohur ende rezultatin, vazhdon të çojë në KAS ankimet e saj, shumica të rrëzuara nga kjo structure, dhe të kërkojë hapjen e kutive, nga ku pretendon ndryshim të rezultatit. Gjë që nuk ka aspak gjasë të ndodhë.

Në anën tjetër, PS gëzon fitoren, të cilën e çertifikuan edhe ndërkombëtarët që, duke uruar Edi Ramën, njëherësh njohën rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit. 

Deri këtu nuk ka asgjë nga e zakonshmja shqiptare e postzgjedhjeve të shkuara dhe do të ishte kështu nëse nga të gjitha anët nuk do të përplaseshin vektorë të pangjashëm më me zgjedhjet e shkuara. 

Problematika e parë u krijua në kampin opozitar, ku kundërshtarët e Bashës, nuk pritën as të kalojë afati i ankimimeve zgjedhore për t'í kërkuar atij dorëheqjen, me argumentin se ishte koha për t'i hapur rrugë reformimit të PD. Për ta humbja e ka emrin Lulëzim Basha dhe e konfirmojnë këtë me humbjen e tretë rradhazi të PD-së, nën udhëheqjen e tij. Nëse kjo është e drejtë ose jo në optikën time politike, ky është një argument që preferoj ta shtyj për më vonë. 

Situata u ngarkua gjithashtu me nismën e socialistëve për shkarkimin e Ilir Metës. Ndonëse nisma në thelb është e drejtë, ajo mbart shumë pikëpyetje juridike mbi legjitimitetin e parlamentit aktual dhe shumë interpretime mbi afatet e nevojshme kushtetuese për ta ndërmarrë një nismë të tillë. 

Krimi që ka lulëzuar pas zgjedhjeve është njëherësh pjesë e bisedave politike dhe jo vetëm dhe… si për të vulosur parehatinë politike, vjen edhe vendimi i Departamentit Amerikan të SHtetit për shpalljen “non grata” të Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Lajmi, që erdhi si rrufe në qiell të hapur, duket se më shumë se sa kënaqësi, shkaktoi habi.  Pse tani, përse vetëm ai, po më tej? 

Deklarata e Antony Blinken, nëTwitter se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe iu ndalohet hyrja në vend u mbështet nga një argument i shkurtër që e mbështeste vendimin me faktin se: “Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri... Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”.

Por..., shumë lexues, përfshirë mua, e lexojnë deklaratën me shumë pikëpyetje brenda. 

Përse tani, 8 vjet pasi Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD dhe kur pjesëmarrja e tij në jetën politike është në nivele kaq të ulta? A është Berisha i vetmi politikan i korruptuar në Shqipëri dhe si duhet interpretuar raporti i DASH për Shqipërinë që deklaron se gjatë vitit 2020 korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. 

Në këto kushte, tek dëgjoj për Berishën nuk di nëse duhet të gëzohem apo jo për këtë lajm, që ashtu si shumë shqiptarë e prisja prej kohësh. Berisha i 97-tës, i Gërdecit, i të vrarëve të 21 Janarit e sa e sa zullumeve të tjera duhet të ishte sot një i dënuar i drejtësisë shqiptare. Lajmi se nuk kalon dot Atlantikun është, përveçse shumë, shumë i vonuar, një lajm që nuk sjell asnjë përfitim në shoqërinë shqiptare, veçse e ndan atë në më shumë pro dhe kundër Sali Berishës, si dhe u pa nga shpërthimet e komenteve në rrjetet sociale.

Aq më tepër më përforcohet mendimi mbi mos përfitimin e shoqërisë shqiptare nga një lajm i tillë, kur kujtoj se emrat e tjerë të shpallur “non grata” nga SHBA. Më herët, në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit janë futur edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe Tom Doshi, i cili dha dorëheqjen edhe nga kandidimi në zgjedhjet e 25 prillit pas mesazheve të vazhdueshme të ambasadores Yuri Kim. Por mesazhet e Kim nuk e penguan Doshin të hyjë në zgjedhje, të marrë mandate, t'i deklarojë ato në favor të PS dhe të vazhdojë i qetë rrugën e tij, e cila duket se nuk cenohet nëse kalon ose jo nga SHBA.

Në këto kushte, më shumë se përfitim për shoqërinë shqiptare, lajmi se Berisha dhe familja e tij janë “non grata” për Departamentin Amerikan të Shtetit më ngjan me përfitimet e vogla politike të momentit të cilat nuk sjellin asgjë. E vetmja gjë që pritet janë ca deklarata politike kënaqësie dhe pakënaqësie të momenti, krahëve të ndryshëm të politikës, si dhe rezultoi në seancën parlamentare të radhës. 

As shpresa e artikuluar vakët se kjo do të sjellë fundin e tranzicionit shqiptar nuk më duket e bazuar. Nëse dua të jem optimiste për të ardhmen e vendit tim, ajo që dua është t'i shoh të korruptuarit, përfshirë Berishën, në duart e një drejtësie të paanshme. Do të dua të preket zhvillimi ekonomik që zë fill nga largimi i duarve të politikanëve nga xhepat e shtetit, do të dua të shoh të ndëshkuar të “fortin” e pushtetit dhe jo qytetarin, që si deklaroi vetë Rama “ndërton avllinë e tij”. 

Të gjitha këto duan ndryshimin e një sistemi të tërë dhe druaj, se këtë nuk mund ta bëjë dot shpallja “non grata” e Sali Berishës, ashtu si nuk e bëri dot shpallja “non grata” e Llallës, Doshit e Dakos. Aq më tepër që ky lajm vjen në një kohë kur Shqipëria ka më shumë probleme për të zgjidhur se sa pyetja nëse mundet ose jo të udhëtojë Berisha me familjen e tij drejt SHBA-së. 

Ndaje me miqte