Berisha: Padi për shpifje kundër Sekretarit të Shtetit Blinken
ATSH
21 Maj 2021
TIRANË, 20 maj/ATSH/ Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se ka udhëzuar avokatin e tij që të ngrejë padi direkte për shpifje publike ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ka shpallur dje të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA, atë personalisht dhe familjarët e tij.
Në një konferencë për mediet, Berisha komunikoi vendimin e tij të cilin e cilësoi të pazakontë, por të rëndësishëm.
“Jam këtu për t’ju informuar për një vendim. Dje Sekretari i Shtetit në mënyrën më shpifëse dha vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën politike, që kur kam prekur rrogën e parë në borderotë e shtetit dhe deri ditën e djeshme, nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë që unë kam qenë i implikuar në një aferë të zakonshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim që të ngrejë ndaj Blinken padi direkte për shpifje publike. Blinken nuk mund të mbrohet nga imuniteti i tij në gjykatë. Dinjiteti im s’mund të preket nga montazhet politike për të më dëmtuar”, tha Berisha.
Berisha tha se padia është ngritur në gjykatën e Parisit. “Një vendim ky i paparashikuar ndonjëherë në jetën time, një admirues i pakufishëm i vendit të madh të lirisë, aleatit kryesor të kombit shqiptar, SHBA-së. Por, çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut”, tha Berisha.
Sipas tij, “vendimi për ta shpallur ‘non grata’ është i pabazuar mbi të vërteta. Familjarët e mi, njëlloj si unë kanë respektuar ligjet e këtij vendi me rigorozitetin më të madh”.
Ai theksoi se Blinken përdori autoritetin e tij për të më dëmtuar mua dhe për të cenuar nderin dhe dinjitetin tim, ndaj zgjodha të ngre padi penale.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme për mua se marrëdhëniet me SHBA, por një tjetër është më e rëndësishme, dinjiteti njerëzor. Ai është thelbi i njeriut të lirë dhe jam përpjekur gjithë jetën ta ruaj. Para dinjitetit nuk vë asnjë gjë tjetër mbi tokë, sepse nuk i druhem askujt, asnjë njeriu. Unë do rivendos dinjitetin tim në vend”, tha Berisha, ndërsa shtoi se, “beteja ime ka lidhje vetëm me dinjitetin njerëzor, nuk ka asnjë synim tjetër”.
Berisha tha se vendosa t’i drejtohem gjykatës dhe të flasë gjykata për këtë çështje dhe kjo është zgjedhja më e ndershme.
Ndërkohë ai theksoi se “grupi parlamentar i PD-së nuk ka asnjë lidhje me betejën time”.
“Betejën do ta bëj avokati dhe Sali Berisha. Grupi parlamentar i PD-së me ambasadoren e SHBA-së dhe me SHBA-të duhet të mbajë qëndrimin më të mirë të mundshëm. Unë jam për marrëdhënie shumë të mira”, tha ai.
I pyetur se kush do t’a paguaj avokatin francez dhe sa kushton dhe nëse i druhet se PD mund ta përjashtojë nga grupi për këtë vendim, Berisha tha se: “kur isha në diktaturë dhe vendosa të luftoj për dinjitetin tim bashkëmoshatarët e tu vriteshin në kufi. Vërtetë ishte regjim i dobësuar, por Shqipëria ishte plot kampe, burgje dhe të rinjtë si ju niseshin me shpresë dhe vriteshin në kufi. Dua të them për këtë se para dinjitetit nuk vë asnjë gjë mbi tokë, sepse unë nuk i druhem askujt. Unë do rivendos dinjitetin tim në vend”.
Ndaje me miqte