0030 210 33 18 483

Biden – Mitsotakis-it: “Jeni mik i jashëtzakonshëm”

TV TRIBUNA 17 Maj 2022

Presidenti amerikan, Joe Biden gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, e ka falënderuar mysafirin për rolin e Greqisë në krizën ukrainase.

Mitsotakis gjendet në Uashington për festimin e vonuar -për shkak të pandemisë- të 200 vjetorit nga fillimi i revolucionit grek për pavarësi.

Presidenti Biden dhe zonja e parë amerikane Jill Biden dhanë më vonë një pritje për nder të kryeministrit Mitsotakis dhe bashkëshortes së tij, Mareva.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua vetëm një javë pasi parlamenti grek miratoi shtyrjen edhe për pesë vjet të marrëveshjes ushtarake me SHBA, që u forcave të armatosura amerikane akses në tri baza greke në pjesën kontinentale të vendit, si dhe praninë e marinës në ishullin e Kretës.

 

Nga bashkëbisedimi para gazetarëve

JOE BIDEN: Na bashkon një miqësi personale. Jeni i shkëlqyer.

Idealet demokratike që ne përqafojmë, siç e dimë të gjithë, e kanë zanafillën në Greqi dhe frymëzuan “baballarët e kombit” tonë, të cilët ishin nxënës të Greqisë.

Për fat të keq sulmi barbar i Rusisë në Ukrainë përbën njëkohësisht kërcënim ndaj demokracisë nga regjime autoritare që duan të shkatërrojnë rendin legjitim ndërkombëtar.

Dua t’ju falënderoj zoti kryeministër, për rolin e lidershipit moral, që ka luajtur Greqia.

Nuk është e lehtë. E di dhe ju falënderoj.

Janë të shumta ato që do të diskutojmë sot.

Do të diskutojmë për mbështetjen tonë të vazhdueshme ndaj Ukrainës, thellimin e marrëdhënieve tona të partneritetit në fushat e mbrojtjes dhe të tregtisë, sigurinë energjitike, ndryshimin klimatik dhe shumë të tjera.

Sot, miqësia jonë dhe bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve, ndërmjet grekëve dhe amerikanëve, është – konsideroj- më i rëndësishëm se kurrë.

Dhe është nder për mua që kam rastin të festoj këtë bashkëpunim bashke me ty, pasi je një mik i jashtëzakonshëm. Mirë se erdhe.

 

KYRIAKOS MITSOTAKIS: Ju falënderoj shumë, zoti president, për fjalët tuaja fisnike.

Është vërtet nder për mua të gjendemi këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të festuar bashkë me ju 201 vjetorin nga fillimi i betejës për pavarësinë tonë.

Siç e dini, “baballarët e kombit” tuaj u frymëzuan nga idealet e demokracisë Athinase dhe “baballarët e kombit” tonë morën frymëzim nga lufta për pavarësi këtu, në këtë vend.

Dy shekujt e fundit të dy vendet tona u gjendën gjithmonë në anën e duhur të historisë.

Luftuam së bashku.

Dhe tani po përballojnë, të bashkuar, sfidën e invazionit të Rusisë në Ukrainë.

Paralelisht, kjo vizitë është një shans që të vlerësojmë sërish nivelin e marrëdhënieve tona.

Besoj sinqerisht se marrëdhëniet janë në nivelin më të lartë historikisht.

Dhe nuk e kam fjalën vetëm tek pjesa e mbrojtjes, por edhe në tregti, në investimet, në rolin e Greqisë si partner i besueshëm në Mesdheun Lindor, si një vend që kapërceu krizën ekonomike financiare me një ekonomi që po zhvillohet dhe përbën shtyllë stabiliteti sa në Ballkan, aq edhe në gjerë në rajon.

Rrjedhimisht, kur flasim për çështje si siguria energjitike, ka shumë më tepër që mund të bëjmë së bashku.

Dhe jam shumë i gëzuar që gjendem këtu bashkë me ju që të diskutojmë këto çështje të rëndësishme dhe që më vonë do të mund të drejtohem tek miqtë tuaj të shumtë greko-amerikanë.

E di mirë se sa të ngushta janë lidhjet tuaja me grekët dhe greko-amerikanët dhe është nder për mua që do t’i takoj këtu, në Shtëpinë e Bardhë.

 

JOE BIDEN: Gëzimi është i imi për praninë tuaj këtu. Ju falënderoj. Dhe pres të fillojnë bisedimet tona.

Ndaje me miqte