0030 210 33 18 483

Biden tërhiqet nga gara për President: "Në interes të partisë dhe vendit tim"

Tribuna News 21 Korrik 2024

Katër muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Presidenti Joe Biden ka bërë një njoftim të papritur se nuk do të kërkojë rizgjedhjen. Në një letër të publikuar në rrjetet sociale, ai e quajti nderin më të madh të jetës së tij të ketë shërbyer si President.

 

"Synimi im ka qenë të kërkoj rizgjedhjen, por besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave si President për pjesën e mbetur të mandatit tim," deklaroi Biden.

 

Deklarata e plotë:

 

"Gjatë tre viteve e gjysmë, ne kemi bërë përparim të madh si komb. Amerika sot ka ekonominë më të fortë në botë. Kemi bërë investime historike në rindërtimin e kombit tonë, uljen e kostove të barnave me recetë për të moshuarit dhe zgjerimin e kujdesit shëndetësor të përballueshëm për një numër rekord amerikanësh. Kemi ofruar kujdes kritik për një milion veteranë të ekspozuar ndaj substancave toksike dhe kemi kaluar ligjin e parë të sigurisë së armëve në 30 vjet. Emëruam gruan e parë afrikano-amerikane në Gjykatën e Lartë dhe miratuam legjislacionin më të rëndësishëm të klimës në histori. Amerika nuk ka qenë kurrë më e pozicionuar për të udhëhequr sesa sot.

 

Asnjë nga këto nuk do të ishte bërë pa ju, populli amerikan. Së bashku, kemi tejkaluar një pandemi dhe krizën më të keqe ekonomike që nga Depresioni i Madh. Kemi mbrojtur dhe ruajtur demokracinë tonë, si dhe kemi forcuar aleancat tona në mbarë botën.

 

Ka qenë nderi më i madh i jetës sime të shërbej si Presidenti juaj. Edhe pse synimi im ishte të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia për pjesën e mbetur të mandatit tim. Do t’i flas kombit gjatë javës për më shumë detaje mbi vendimin tim.

 

Tani për tani, dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që kanë punuar kaq shumë për të më parë të rizgjedhur. Dua të falënderoj Zëvendëspresidenten Kamala Harris që ishte një partnere e jashtëzakonshme në këtë punë. Dhe më lejoni të shpreh vlerësimin tim të përzemërt për popullin amerikan për besimin që keni dhënë tek unë.

 

Besoj sot atë që kam thënë gjithmonë: nuk ka asgjë që Amerika nuk mund të bëjë, kur e bëjmë së bashku. Thjesht duhet të kujtojmë se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës."

 

Ndaje me miqte