0030 210 33 18 483

Bilanci tragjik nga tërmeti: 24 të vdekur, 657 të plagosur dhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat

ATSH 27 Nentor 2019

TIRANË, 27 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Tërmeti që goditi vendin mëngjesin e së martës ka një bilanc tragjik me deri tani 24 të vdekur, 657 të lënduar dhe fatmirësisht deri tani edhe 45 jetë të shpëtuara nga rrënojat.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndërsa e cilësoi tërmetin shkatërrimtar për mijëra familje dhe sfidues për shoqërinë, shtetin, qeverinë dhe në tërësi për kombin tonë.

Kryeministri nënvizoi reagimin e menjëhershëm domethënës të të gjithë kryeministrave. Po ashtu, Rama vlerësoi reagimin e menjëhershëm të trupave të emergjencave civile, të Policisë së Shtetit, të FA-së, zjarrfikëseve dhe Urgjencës Shëndetësore Kombëtare.

“Në fund të një 24-orëshi që ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit me uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua që t’u shpreh të gjithë mirënjohjen, respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme, që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre, duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit, deri tek ata që pritën dhe trajtuan në gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur, ndër të cilët një numër i vogël në kushte rreziku për jetën”, tha Rama.

Ndaje me miqte