Brigitte Bardot gjobitet për fyerje publike
ATSH
08 Nentor 2021
Aktorja Brigitte Bardot, e cila në vitin 2019 i përshkroi banorët e Reunionit, departamentit francez në Oqeanin Indian, si “vendas që kanë ruajtur gjenet e tyre të egra”, është dënuar nga drejtësia me 20 000 euro gjobë për fyerje publike.
Krijuesja e një fondacioni që mban emrin e saj dhe punon për mbrojtjen e kafshëve, në mars 2019 Bardot i dërgoi një letër të hapur Amaury de Saint-Quentin, atëherë prefekt i Reunionit.
Duke pretenduar se është “e pushtuar nga letra (…) që denoncojnë barbarinë që ushtrojnë banorët e Reunionit mbi kafshët”, Brigitte Bardot tha se “vendasit kanë ruajtur gjenet e tyre të egra”.
Ajo, gjithashtu, e kishte krahasuar ishullin Reunion me “Ishullin e Djallit” me “një popullsi të degjeneruar ende të mbushur (…) me traditat barbare që janë rrënjët e tyre”.
Këto sulme shkaktuan indinjatë të madhe në ishull.
Annick Girardin, në atë kohë ministre franceze për territoret e huaja, i dërgoi një letër të hapur Bardosë: “Racizmi nuk është një opinion, është një krim”.
I proceduar për bashkëpunim në fyerje publike, Bruno Jacquelin, sekretari i shtypit i ish-aktores franceze 87-vjeçare, u gjobit me 4 000 euro.
Me kërkesë të punëdhënëses së tij, ai e përcolli letrën e kontestuar, ku komentet e supozuara shfaqen në disa media, përfshirë AFP.
Më 7 tetor, gjatë procesit gjyqësor, prokuroria kërkoi 25 000 euro gjobë ndaj ish-yllit, e përfshirë në mbrojtjen e kauzës së kafshëve dhe 5 000 euro ndaj bashkëpunëtorit të saj.
Brigitte Bardot u kërkoi falje banorëve të ishullit, duke e justifikuar zemërimin e saj me atë që ajo e konsideron si “fatin tragjik” të kafshëve në ishull.
Ndaje me miqte