Britani, Boris Johnson merr zyrtarisht funksionin e kryeministrit
TV Tribuna
24 Korrik 2019
Boris Johnson mori sot detyrën e kryeministrit dhe përgjegjësitë e udhëheqjes së vendit gjatë procesit të vështirë dhe ende të paqartë të shkëputjes nga Bashkimi Evropian. Ai vjen në këtë post pas dërëheqjes së Kryeministres Theresa May, e cila nuk arriti të bashkonte forcat politike dhe vendin në mbështetje të propozimeve të saj për Brexitin
Ish-kryebashkiaku i Londrës, u emërua zyrtarisht kryeministër i Britanisë së Madhe pas një vizite tek mbretëresha Elizabeth II, njoftoi pallati mbretëror “Buckingham”.
“Johnson pranoi ofertën e madhërisë së saj dhe i puthi dorën gjatë marrjes së detyrës si kryeministër”, shkruan pallati mbretëror në një komunikatë.
Ai do të pasojë Theresa May që u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të dështimit të saj për të aplikuar Brexit.
Ai ka premtuar gjatë fushatës që ta shkëpusë Britaninë nga Bashkimi Evropian brenda 31 tetorit, me ose pa marrëveshje mes dy palëve lidhur me kushtet e largimit. Shumë anëtarë të parlamentit janë kundër idesë së shkëputjes pa një marrëveshje, duke thënë se një tentative e tillë do të sillte kaos.
Boris Johnson ndeshet me rezistencë të fortë nga një segment i konsiderueshëm i shoqërisë britanike që mbetet pro-BE dhe që e sheh me antipati personalitetin e tij të bujshëm.
Ai ka siguruar mbështetjen e konservatorëve të bardhë, të pasur, por shpreson të bëjë për vete edhe britanikë të tjerë. Zoti Johnson ka premtuar se do të krijojë një “kabinet për Britaninë moderne” ku do të ketë një numër më të madh grash dhe pakicash etnike në drejtim të insitucioneve.
Përveç anëtarëve të kabinetit që do të jenë përkrahës të fortë të Brexitit, ai premton të përfshijë edhe politikanë pro-Bashkimit Evropian.
Politikani që njihet për stilin teatral, batutat në latinisht dhe shkulat e flokëve të verdhë të parregullt do të duhet ta tregojë veten se është një udhëheqës i ekuilibruar, një kryeministër pragmatik, i fortë por edhe elastik për të siguruar aleancat e nevojshme në mënyrë që ta drejtojë me sukses vendin në këtë moment historik.
Ndaje me miqte