0030 210 33 18 483

Bularat, vritet 35 vjeçari grek në shkëmbim zjarri me policinë

Zëri i Amerikës 28 Tetor 2018

Policia shqiptare tha se një 35 vjeçar që qëlloi me armë zjarri ndaj shërbimeve të policisë në Bularat të Gjirokastrës paraditen e së dielës u vra disa orë më vonë pas incidentit gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat Speciale të Repartit “Renea”. Sipas burimeve zyrtare policore “forcat RENEA i kanë bërë thirrje 35 vjecarit Kostandino Kaçifa të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi ai nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, dhe ka hapur zjarr me armë duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve, edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes sipas policisë ishte e ulët”.

Policia e Gjirokastrës tha se forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit shtetasi është vrarë. Një grupi hetimor ka mbërritur në fshatin Bularat për të hetuar ngjarjen. Policia e Gjirokastrës dha gjithashtu hollësi mbi incidentin me armë zjarri gjatë paradites ku u rrezikua jeta e punonjësve të policise.

Sipas një njoftimi për mediat ngarja ndodhi rreth orës 10:00, ku shërbimi policor kostatoi se një person qëllonte me armë zjarri në ajër në krye të fshatit Bularat. Sipas burimeve policore në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do të zhvillohej një aktivitet me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë.

Policia e Gjirokastrës tha se shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre. Policia tha se nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia më pas ka rrethuar zonën dhe përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin. Sipas hetimeve paraprake shtetasi Kostandinos Kaçifa jetonte në Greqi dhe prej një jave kishte ardhur në Bularat, një zonë që banohet nga pakica greke. Ende nuk jane mësuar motivet dhe burimi i armës me të cilin i riu qëlloi mbi policinë.

(Titulli nga TV Tribuna)

Ndaje me miqte