Bularati, Bushati: Organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm
ATSH
09 Nentor 2018
Ministri për Europën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati shprehu sot besimin se “prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe ne t’i krijojmë mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për ç’ka ka ndodhur në Bularat”.
I pyetur nga banorët e Gjegjanit në Pukë, gjatë një dëgjese në kuadër të llogaridhënies me qytetarët, ministri Bushati tha se “nga pikëpamja e detyrave shtetërore ne i kemi kryer ato detyra një më një dhe për incidentin fatkeq në Bularat”.
“Shpresoj shumë që prokuroria, policia, organet hetimore ta thonë fjalën e tyre me profesionalizëm dhe ne ti krijojmë mundësi që ata të shprehen me profesionalizëm për çka ka ndodhur në Bularat, për rrethanat e humbjes së jetës. Një gjë e dimë të gjithë që po vure dorën mbi polici, kudo qofsh nga demokracitë më të zhvilluara, vendet më problematike, dihet se cili duhet të jetë reagimi dhe përgjigja e forcave të rendit”, – tha Bushati.
Së dyti, theksoi ministri Bushati, “nëse i referohemi ngjarjes së djeshme ku pamë një shpërfaqje të një ekstremizmi dhe parullave, të cilat në thelb dëmtojnë miqësinë mes vendeve tona, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe në këtë pikë mund të them që shpresoj që policia, forcat e rendit të bëjnë punën e tyre me seriozitetin maksimal dhe të gjithë ata njerëz të cilët kanë konsumuar akte të kundraligjshme, të ndiqet rruga ligjore. Detyra jonë është që të mos biem në kurthin që identifikojmë një grup ekstremistësh me popullin grek, i cili në ditë të vështira dhe në ditë të lumtura ka qenë aty krah për krah me ne”.
Ndaje me miqte