0030 210 33 18 483

Burokracia mund të ushqejë kapitalizmin, por vret qytetarinë

Danel CANA 11 Qershor 2020

Pse shteti kërkon që emigranti të jetë në rregull me pagesat e taksave, gjobave, detyrimeve?

Ashtu të jetë në rregull edhe me detyrimet ndaj emigrantit dhe këto nuk kërkohen me greva në rrugë, por janë të përcaktuara me ligj, të vendosura në parlamentin ligjor.


Me problemin e përgjithshëm që kaloi gjithë bota, Covid-19, pati të mirat dhe të këqiat e saj, izolimi i përgjithshëm për një periudhë afro tre muaj.

Pati të mirë se mbrojti popullin, nga përhapja e shpejtë dhe e pa kontrolluar e sëmundjes dhe pati disa anë negative për ekonominë në përgjithësi.

Në Zakynthos jeton një komunitet jo i vogël emigrantësh shqiptarë, të cilët kanë mbi njëzet vjet që kanë ndërtuar jetën familjare në këtë ishull. Pa hyrë në peripecitë dhe problemet që kanë pasur, sepse janë shumë të njohura nga të gjithë siç janë problemi i parë me kartat e legalizimit ligjor, zvarritjet dhe abuzimet e pa drejta nga administrata me ligjin, burokracira të pa matura dhe peshuara, niveli i shërbimit në çdo drejtim lë për të dëshiruar!

Si për fatin tonë të keq, vjen coronavirus dhe i bllokon, i bën më keq shërbimet ndaj emigrantëve, të cilët gjithmonë kanë probleme dhe duhet të drejtohen në zyrat e periferies, për zgjidhje.

Këtë muaj Qershor, sikur filloi një lëvizje, nga ana e administratës, për të vazhduar shërbimet aty ku kanë mbetur, por gjithë kjo kohë ishte e mjaftueshme, me plotë arsye, për të shpikur zvarritje të reja, mënyra zhvatje, boshatisje të xhepave të emigrantëve.

Një nga këto “marifete” më rastisi të ndeshem sot. Gruaja dhe vajza ime kanë ndërruar pasaportën, përpara mbylljes së zyrave nga virusi, në muajin Janar 2020.

Sipas ligjeve në fuqi duhet ta deklarojnë në zyrat e legalizimit të emigrantëve, (Periferia).

U paraqitëm në Janar dhe na mbyllën takim për 1 Qershor. Tani na thanë se ka ndërruar ligji dhe duhet t’i dërgojmë dokumentat në zarf, fotokopje pasaporte, deklaratë, (ipeftini dhilosi) të mbyllura në zarf, me kurjer, ose postë (sistimeni)!

Mbasi i plotësova dokumentat, i çova në dorë, të mbyllura në zarf, por zotëria e shërbimit në zyrën e emigracionit nuk i pranoi, i donte vetëm me një nga dy mënyrat që përmëndëm më lartë!

Distanca nga posta, tek zyra e periferies, nuk është më shumë se 200 m.

Për një postim të tillë, posta të merrte 6.30 euro....!!!!

Çdo emigrant, të paktën ne që u ndodhëm atje ishim 4 persona për të njëjtin problem. Sapo i thamë asaj çupës se çfarë kërkonim, ajo e dinte përmendësh, se kam dërguar me qindra zarfa të tilla, na tha!

Të gjithë ngritëm supet dhe pyesnim...pse? Pse u dashka të paguaj 6 euro më tepër, për hiç gjë, kur mund t’ja çoj në dorë dhe mbaron puna?!

Dikush edhe mund të paragjykoj, e të thotë se ...nuk bëhet nami për 6 euro, ne po paguajmë qindra-mijra, kot më kotë...!

Unë nuk mendoj kështu.

Dikush tjetër tha se shqiptarët duhet të ngrihen, të bëjnë revoltë, të kërkojnë të drejtat, të kërkojnë zbatimin e ligjit të kërkojnë.... plot të tjera që mungojnë...!

Pra faji i mbetet emigrantit se nuk ngrihet, ta bëjë rrëmujë, ta përmbys këtë pandershmëri!

Përsëri unë nuk mendoj kështu. Pse? Për dy arsye:

1- Emigrantët shqiptarë janë në shënjestër të hakmarrjes. E kemi provuar, jemi ngritur, paqësisht dhe shteti, policia, qeveria janë hakmarrë. Mos harroni fshesat e famshme, që janë bërë vetëm me ne shqiptarët, me asnjë komb tjetër.

2- Në botën e qytetëruar, në Gjermani p.sh., në Amerikë, të drejtat e tyre, si shërbimet pa burokraci, pasaportizimin, pensionet, rrogën që të takon, shqiptarët nuk i kanë marrë me greva rrugëve, por jua ka dhënë shteti ligjor!

Unë këmbëngul dhe jam partizan i sjelljes së kulturuar, i zbatimit të ligjit nga të dyja anët, shteti dhe emigranti qytetar, i ligjëruar.

Pse shteti kërkon që emigranti të jetë në rregull me pagesat e taksave, gjobave, detyrimeve?

Ashtu të jetë në rregull edhe me detyrimet ndaj emigrantit dhe këto nuk kërkohen me greva në rrugë, por janë të përcaktuara me ligj, të vendosura në parlamentin ligjor.

Kontributi i emigrantëve në ekonominë greke është shumë i madh, por për sa i përket dhënies së të drejtave ato jepen me pikatore.

PSE? PSE? Pyesim edhe sot në shekullin XXI.

Ndaje me miqte