Bushati i përgjigjet Turqisë për ekstradimet: Zbatojmë rregullat ndërkombëtare
ATSH
20 Tetor 2018
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi se Shqipëria zbaton rregullat ndërkombëtare, sa i përket ekstradimeve.
Gjatë një konference për shtyp me homologun turk Mevlut Çavusoglu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, Bushati deklaroi se, “përsa i përket çështjes që Ju shtroni, përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë, por dhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çka ndodhi në Turqi, në rrethanat e grushtit të shtetit, por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, është një vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë, ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”.
Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes nëse Turqia ka kushtëzuar praninë e zyrtarëve të saj në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë me shkarkimin e Skënder Bruçajt, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Çavusoglu dhe Bushati mbajtën qëndrime të ndryshme, Bushati dha këtë përgjigje: “Në fakt është ai qëndrim i njohur që ka të bëjë me ADN-në e kombit shqiptar, në parimin e laicitetit, që ishte parimi udhërrëfyes i rilindësve tanë, i etërve themelues të shtetit shqiptar. Kësisoj do të ishte absurde të mendoje që shteti shqiptar mund të përfshihet në çështjet fetare, e jo më një vend i huaj, qoftë dhe një vend mik, siç është Turqia”.
Ndaje me miqte