TIRANË, 28 qershor/ATSH/ INSTAT publikoi sot të dhënat e nxjerra nga censi i realizuar në vitin 2023, sipas të cilit, përafërsisht një e treta e popullsisë shqiptare (31.6%) banon në qarkun e Tiranës.
Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10 %, i ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9.7 %, ndaj popullsisë gjithsej.
Kukësi dhe Gjirokastra kanë përqindjen më të ulët me 2.6 % dhe 2.5% të popullsisë respektive.
Në të gjitha qarqet, me përjashtim atë të Tiranës popullsia ka ardhur në rënie përgjatë periudhës 2011-2023. Në një rang ndryshimesh prej 28.3 % në qarkun e Shkodrës dhe 27.3 % në qarkun e Kukës deri në 0.7 % në qarkun e Beratit.
Shprehur në vlerë absolute, Elbasani dhe Shkodra kanë pësuar rënien më të lartë të popullsisë.
Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1.2 %, më së shumti prej migracionit të brendshëm. Rritja e popullsisë në Tiranë dhe rënia në qarqet e tjera rezulton në rritjen e përqindjes së popullsisë banuese në Tiranë, nga 26.8 % në 2011 në 31,6 % në 2023.