0030 210 33 18 483

Champions League/ Bayern kampion për herë të gjashtë

24 Gusht 2020

Bayerni i Mynihut ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 përballë francezëve të Paris Saint Germain, në finale e Ligës së Kampionëve, falë një goli të francezit Kingsley Coman shënuar në pjesën e dytë.

Finalja e Ligës së Kampionëve u zhvillua në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës në Portugali, pa praninë e tifozëve, por kjo nuk ndikoi aspak në spektaklin e dhuruar në fushë nga të dy skuadrat.

Fati i takimit u vendos në minutën e 59’, kur pas një aksioni të gjatë, Kimmich hodhi një krosim të saktë në zonë, aty ku francezi Kingsley Coman nuk mund të gabonte me kokë, i ndodhur vetëm pak metra larg portës së mbrojtur nga Keilor Navas dhe dërgoi topin në rrjetë.

Francezët u përpoqën të reagojnë dhe iu afruan golit në 2-3 momente, por veteran i portës së Bayernit, Manuel Neuer u shfaq në lartësinë e detyrës, duke kontrolluar të gjithë goditjet drejt portës së tij dhe mbajtur rrjetën të paprekur.

Bayerni bëhet kështu klubi i tretë me më shumë trofe të Ligës së Kampionëve, plot 6 të tillë, aq sa ka edhe Liverpool, ndërsa renditja kryesohet nga Reali i Madridit me 13 trofe, i ndjekur nga Milani me 7.

Nga ana tjetër Paris Saint Germain do të duhet të kënaqet me faktin që për herë të parë në histori ia doli të kualifikohet deri në finale e Ligës së Kampionëve dhe të provojë sërish triumfin në sezonin e ardhshëm.

Ndaje me miqte