0030 210 33 18 483

Cikloni Zorbas mbërrin në Greqi

Tribuna TV 29 Shtator 2018

Cikloni Zorbas ka mbërritur në brigjet e Greqisë, duke prekur fillimisht pjesën jugperëndimore të vendit.

Deri tani nuk janë raportuar probleme shumë serioze.

Erërat e forta po e rritin vazhdimisht intensitetin e tyre, gjatë paradites vazhdojnë shtrëngatat e fuqishme të shiut, ndërsa në disa zona ka ndërprerje të energjisë elektrike.

Gjithashtu probleme ka në rrugët rajonale për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve.

Shërbimi meteorologjik ka njoftuar se gjatë ditës së shtunë cikloni do të përfshijë pjesën perëndimore të gadishullit të Peloponezit dhe më pas pjesën qendrore dhe lindore.

Dallgët shumë të larta dhe shirat e rrëmbyer është paralajmëruar se mund të shkaktojnë përmbytje

Në vazhdim cikloni do të lëvizë drejt ishullit të Kretës dhe atyre të detit Egje, ndërsa më vonë pritet të prekë edhe kryeqytetin Athinë, ku gjatë pasdites së të shtunës parashikohen shtrëngata të fuqishme shiu.

Në njoftimin e shërbimit meteorologjik thuhet ndër të tjera se: “Fenomenet intensive të motit do të prekin rajonet qendrore dhe jugore të vendit dhe nga e shtuna do të ketë shira të fuqishëm dhe shtrëngata shiu fillimisht në Jonin jugor, Peloponezin jugor dhe Kretën. Deri mesditën e të shtunës fenomenet do të prekin edhe pjesën tjetër të Peloponezit, Greqinë kontinentale (përfshirë Atikën), Evian, Cikladet dhe me gjasë edhe Sporadet veriore”.

Ndaje me miqte