0030 210 33 18 483

Cikloni “Zorbas” shkakton dëme në mjaft zona të Greqisë

Tribuna TV 30 Shtator 2018

Cikloni “Zorbas” vazhdon të jetë i pranishëm në Greqi, por tashmë intensiteti është dobësuar, siç njoftoi shërbimi meteorologjik.

Megjithatë, në kalimin e tij që nga e shtuna, cikloni ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha në disa prej zonave në jug dhe juglindje të vendit.

Në gadishullin e Eubesë po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tre personave që kanë rezultuar të zhdukur. Një çift me moshë 65 vjeç, mjeti i të cilëve u rrëmbe nga ujërat që kishin përmbysur rrugën, si dhe drejtuesi i një mjeti tjetër, që ndodhej bashkë me të shoqen e cila u gjet në gjendje të mirë nga ekipet e shpëtimit.

Reshjet e shiut kanë qenë të dendura në të gjithë vendin. Nga mesnata e të shtunës, deri në ora 10,30 të paradites së të dielës, në Ftiotida kishin rënë 205 mm dhe në Zagora të Pilios, 170.

Përmbytje të rënda janë shënuar në disa zona, sidomos në Argolida dhe Korinth. Sipas autoriteteve lokale janë shkatërruar dhjetra plantacione me kultura të ndryshme bujqësore, rrugë sekondare dhe përmbytur mjaft banesa.

Në mjaft zona banorët e kanë kaluar natën mbi tarracat apo çatitë e banesave të tyre, në pritje të ekipeve të shpëtimit dhe zjarrfikësve.

Reshjet dhe erërat e fuqishme janë karakteristikat e ciklonit mesdhetar që tashmë po kalon në rajonet lindore të vendit dhe në ishujt e detit Egje.

Në Pilios, ku dallgët arritën në 10 ballë, janë mbytur tetë skafe dhe tetë të tjerë janë dëmtuar mjaft. Një velierë me flamur suedez u përplas nga dallgët dhe ka ngecur në breg, por katër anëtarët e ekuipazhit mbijetuan dhe janë në gjendje të mirë.

Ndërsa në mjaft prej zonave të dëmtuara është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, autoritetet kanë nisur të bëjnë bilancin e dëmtimeve.

Gjithsesi, deri më tani, dëmet konsiderohet se nuk janë të atij niveli që parashikohej para se cikloni të mbërrinte në Greqi.

Ndaje me miqte