0030 210 33 18 483

Covid-19, komunikohen masa të reja

TV Tribuna 26 Shtator 2020

Që nga e diela, 27 shtator, kioskat, mini merkatat dhe kavat (dyqanet e pijeve) në Atikë, do të jenë mbyllur nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.

Me marrjen e kësaj mase qeveria synon të kufizojë grumbullimet e të rinjve, që pas mbylljes së bareve e vazhdojnë argëtimin e tyre pranë njësive të vogla tregtare, ku blejnë pije.

Siç bëri të ditur zv/ministri i mbrojtjes civile, Nikos Hardalias, kjo masë do të zbatohet, deri në 4 tetor; përveç Atikës, edhe në disa zona të tjera të Greqisë.

"Me objektiv frenimin e pandemisë, qeveria vendosi kufizimin e funksionimit të njësive të shitjes me pakicë, nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.

Më konkretisht, në periferinë e Atikës, por edhe në rajonet që janë në regjim të masave të posaçme kufizuese, domethënë në Imathia, në Kilkis, në Pella, në Pieria, në Halkidiki, në Hania, në Iraklio të Kretës, në Zakinthos, në Lesvos dhe në Mykonos, pezullohet funksionimi i çdo njësie të shitjes me pakicë, siç janë kioskat, minimarketet dhe kavat.

Nga kjo masë përjashtohen farmacitë dhe pikat e karburantit.

Masa është në fuqi nga ora 5 e mëngjesit të së dielës deri në 4 tetor".

Hardalias ka komunikuar masa të posaçme për rrethin e Trikalas.

"Do të doja gjithashtu të informoj se për shkak të ngarkesës epidemiologjike në rritje, Trikala, dhe njësia rajonale Trikala përfshihen në një regjim masash të posaçme kufizuese.

Domethënë, pezullim i çdo lloj veprimtarie, ndalohet grumbullimi i më shumë se 9 personave në ambiente publike dhe private, përdorim i detyrueshëm i maskës, sa në ambientet e hapura aq edhe ato të mbyllurat.

Në lokalet e ushqimit lejohen deri në 4 persona për çdo tavolinë, përveç nëse janë të afërm të shkallës së parë, kur lejohen deri në 6 persona".

Ndaje me miqte