0030 210 33 18 483

Covid-19, masat për personat që hyjnë në Shqipëri

ATSH 24 Dhjetor 2021

Në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur lënien në fuqi të masave ekzistuese anti-COVID.

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se “analiza e indikatorëve epidemilogjikë sugjeron se niveli i masave që janë në fuqi është i përshtatshëm për ta kontrolluar këtë situatën, për momentin do të mbeten në fuqi të njëjtat masa që kemi”.

“Por situata epidemilogjike në botë, prania e virusit Omicron me vetinë e tij për tu shpërndarë shumë herë më shpejt se paraardhësit e tij bën të domosdoshëm respektimi i këtyre masave”, tha Rakacolli.

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve sqaroi se mbetet në fuqi vendimi për respektimin e organizimeve sipas kapaciteteve të lejuara.

“Ora policore ka lidhje me lejimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë gjithë asaj nate duke menduar që njerëzit do të duan të jenë së bashku në familjet, fëmijët të shkojnë të takojnë prindërit dhe mund ta kalojnë vitin e ri së bashku. Aktivitetet do të organizohen sipas standardeve të përcaktuara me kohë, të lejimit të grumbullimit të personave sipas kapaciteteve ku mund të grumbullohen njerëzit për të festuar së bashku”, theksoi Rakacolli.

Duke bërë thirrje për vaksinimin anticovid, prof. Rakacolli tha se deri në datën 4 janar, të gjithë punonjësit e administratës publike, supermarketeve dhe qendrave tregtare duhet të jenë të vaksinuar.

“Ju kujtoj që në datën 4 janar të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare si një kategori që përbëjnë rrezik për të tjerët do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose çertifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit. Kjo çertifikatë ka filluar të gjenerohet edhe në sistemin e-albania”, tha Rakacolli.

Masat anti-COVID në fuqi:

–    Ora policore nga 23:00-06:00.
–    Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1. Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të ketë të paktën dy javë.
2. Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
3. Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

–  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituar, duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.

– Vetëm 30 % e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore.

Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. Në të gjitha rastet kur nuk respektohen masat e rekomanduara do të zbatohen penalitetet, siç është ai individual kur qytetari nuk ka përdorur maskën në ambientet e rekomanduara në masën e gjobës 3 mijë lekë nëse është për herë të parë dhe në rast përsëritjeje në masën 5 mijë lekë. Në rast kur bizneset nuk zbatojnë protokollet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetit Publik, masa e penalitetit shkon nga 100,000-700,000 lekë, në varësi të masës e cila nuk është zbatuar.

Ndaje me miqte