Sot mbushen plot 32 vjet nga dita kur Danimarka, me nofkën “Dinamiti i Kuq”, arriti të bëhej kampione e Europës për herë të parë, duke mposhtur 2-0 në finale kampione e botës në fuqi, Gjermaninë. Ishte 26 qershor 1992...
Të shtunën (29/6), të dy ekipet do takohen sërish, këtë herë në fazën e 16-shes të Euro 2024.
Historia e Danimarkës në Euron e Suedisë 1992 ishte si një përrallë. Ekipi nuk ishte kualifikuar në fazën finale të turneut. Lojtarët e saj ishin me pushime në plazhe kur morën lajmin se skuadra daneze do të zinte vendin e Jugosllavisë së atëhershme, e cila ishte përjashtuar si rrjedhojë e sanksioneve të OKB-së për shkak të luftës që po zhvillohej në atë rajon.
Kështu, Danimarka hyri në turne. Ajo ishte gjithashtu pa një nga yjet e saj të mëdhenj, atëherë lojtari i Barcelonës, Mikael Laudrup, për shkak të mosmarrëveshjeve të tij me trainerin Richard Meller Nielsen.
Në fazën e parë, skuadra daneze përfundoi e dyta në Grupin 1, pas Suedisë. Franca dhe Anglia u eliminuan. Në gjysmëfinale, Danimarka mundi mbajtësen e titullit Holandë 5-4 në penallti (2-2); një Holandë që kishte në përbërje të saj yje si Marco van Basten, Ronald Koeman, Frank Rijkaard dhe Ruud Gullit. Në finale, në stadiumin Ullevi të Goteborgut, John Jensen (18 ') dhe Kim Wilfort (78') shënuan golat kundër Gjermanisë së Andreas Breme, Matthias Zammer, Thomas Hessler, Jurgen Klinsmann dhe Stefan Effenberg, mes shumë yjeve të tjerë në ekipin që drejtonte traineri Bertie Vogts.