Demokracia e Re fiton zgjedhjet në Greqi
Robert Goro
07 Korrik 2019
Demokracia e re e ka cilësuar si “historike” fitoren e zgjedhjeve të 7 korrikut.
Në orën 21,00, kur ishte numëruar 42% e votave, Demokracia e Re kishte fituar 39,77% dhe 158 vende në parlament.
Në vend të dytë SYRIZA me 31,43% dhe 86 vende pastaj me radhë:
Lëvizja për Ndryshim 8,15% (22 vende), partia Komuniste 5,34% (15 vende), Zgjidhja greke 3,78% (10 vende) dhe partia MERA25 e ish ministrit Varoufakis 3,39% (9 vende).
Një nga risitë pozitive të këtyre zgjedhjeve (të paktën deri në momentin që po shkruhen këto rreshta), është mbetja jashtë parlamentit e Agimit të Artë.
Fillimisht ditorja e thellë e Demokracisë së Re u kumtua nga exit poll-i, që ishte i përbashkët për gjithë televizionet -përfshirë edhe atë publik.
Menjëherë pas kësaj, SYRIZA deklaroi që “Në rast se rezultatet e sondazheve vërtetohen, ka një avantazh të qartë të ND. Respektojmë verdiktin e popullit. Do të vazhdojmë punën tonë nga roli i opozitës kryesore”.
Kurse Demokracia e Re deklaroi se ishte “Një fitore historike që i faturohet kryetarit Kyriakos Mitsotakis. Greqia hyn sot në një epokë të re, duke lënë përfundimisht mbrapa krizën. Grekët zgjodhën projektin e Demokracisë së re, një projekt me më pak taksa, më shumë vende pune dhe më shumë siguri për qytetarët”, thuhet në deklaratën e partisë që do të marrë tashmë qeverisjen e vendit.
Rreth orës 20,30 të së dielës, kryeministri Aleksis Tsipras i telefonoi zoti Mitsotakis për t’i uruar fitoren.
Gjithashtu e informoi se e pret nesër në selinë e Megaro Maksimu, për t’i bërë dorëzimet.
Sipas burimeve nga Demokracia e Re, Mitsotakis do të betohet si kryeministër të hënën ora 13,00 në pallatin Presidencial.
Më herët, kryetari i parlamentit Nikos Voutsis do t’i dorëzojë presidentit të republikës rezultatet e zgjedhjeve.
Zgjedhjeve greke u ka bërë jehonë edhe shtypi i huaj, që i ka ndjekur zhvillimet gjatë gjithë ditës.
Siç komenton media ndërkombëtare, “vëzhguesit ia dedikojnë humbjen e kryeministrit të majtë Tsipras dhe partisë së tij masave të ashpra shtrënguese të viteve të fundit që goditën kryesisht shtresat e mesme. Një pjesë e madhe e shtresës së mesme, që tradicionalisht përcakton rezultatin e zgjedhjeve në Greqi, i ktheu klrahët SYRIZA-s dhe votoi për konservatorët”.
Ndaje me miqte