Denuklearizimi dhe paqja në qendër të takimit historik ndërkorean
ATSH
27 Prill 2018
SEUL, 27 prill /ATSH-AFP/ – Drejtuesi koreano-verior, Kim Jong Un dhe presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in u ulën sot përballë një tryeze ovale për të filluar samitin historik, sipas imazheve të publikuara nga televizioni.
Takimi, që po mbahet në ”Shtëpinë e Paqes”, nga krahu jugor i zonës së çmilitarizuar, që ndan gadishullin, është i treti i këtij lloji që prej fundit të luftës së Koreve në vitin 1953.
“Lideri korano-verior, Kim Jong Un dhe presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in diskutuan sot për denuklearizimin dhe paqen në gadishull gjatë samitit të tyre”, njoftoi zëdhënësi i presidencës koreano-jugore, Yoon Young-chan.
“Dy drejtuesit zhvilluan një dialog të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë për çështjen e denuklearizimit dhe vendosjes së paqes së përhershme në Gadishullin Korean dhe për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkoreane”, theksoi ai duke shtuar se bashkëshortet e dy krerëve do të marrin pjesë në banketin e organizuar në përfundim të samitit.
Ndaje me miqte