0030 210 33 18 483

Dhjetra diplomatë bojkotojnë fjalimin e Lavrov

ATSH 01 Mars 2022

GJENEVË, 1 mars /ATSH-DPA/ – Përfaqësuesit e dhjetëra vendeve protestuan kundër luftës ruse në Ukrainë të martën duke u larguar nga një seancë e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë përpara fjalimit të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Këshilli i të Drejtave të Njeriut nuk duhet të keqpërdoret si një platformë për dezinformim”, tha ambasadorja gjermane Katharina Stasch.

”Pretendimet groteske të ministrit të Jashtëm Lavrov duhet të ekspozohen për atë që janë,  një shtrembërim cinik i fakteve”, theksoi ajo.

Lavrov, i cili iu bashkua procedurave me video-lidhje, lexoi një deklaratë të gjatë në të cilën ai justifikonte sulmin ndaj Ukrainës duke akuzuar palën ukrainase për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ai fillimisht kishte planifikuar të merrte pjesë personalisht në takim, por udhëtimi u anulua për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore evropiane për avionët rusë.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut filloi sesionin e tij të rregullt pranveror të hënën.

Në fjalimin e tij, Lavrov akuzoi Ukrainën për terrorizimin e pakicës ruse në Ukrainë për vite me radhë. ”Të drejtat e njeriut janë shkelur në shumë mënyra”, pohoi ai, duke shtuar se ”Perëndimi jo vetëm që e kishte parë, por edhe e kishte mbështetur këtë”.

”Qeveria në Kiev dëshiron ta kthejë vendin e saj kundër Rusisë për të kënaqur Perëndimin”, tha Lavrov, sipas përkthimit të OKB-së të fjalimit të tij.

“Perëndimi ka humbur qartë kontrollin mbi veten e tij në dëshirën e tij për të shfryrë zemërimin ndaj Rusisë”, tha Lavrov, sipas përkthyesit.

Ndaje me miqte