0030 210 33 18 483

Dhuratat më të bukura për festat e fundvitit

Armela HYSI 23 Dhjetor 2019

Dhjetori është muaji i festave, por dhe i dhuratave. Dyqanet janë të mbushura me njerëz që në këto ditë psonisin pareshtur për të krijuar një atmosferë të ngrohtë në ambientet ku do festojnë, të shtrojnë tryeza me asortimente të shijshëm, por dhe estetikë e veçanti që do mbeten në mendjen e të pranishmëve, do zbukurojnë faqet e rrjeteve të tyre sociale, siç është dhe kthyer në traditë tashmë me fotot e tyre dhe do të përpiqen të jenë sa më të hijshëm e ndritshëm me paraqitjen e tyre. Dhurata janë dhe ato pjesë, pra e këtyre çasteve, që do shtojnë emocionet dhe gëzimin për të gjithë të afërmit e miqtë. Janë ato që shoqërojnë njerëzit me njëri-tjetrin edhe kur nuk janë me prezencën reale. Por shpesh dhe një dhimbje koke për të gjetur dhuratat e përshtatshme. Le të mendojmë për këtë traditë të bukur disi më bukur, me këtë shkrim.

Të mendosh për dikë të cilit ke dëshirë t’i dhurosh diçka, me energjinë më pozitive që mundesh, do të thotë se edhe ajo që do të ofrosh përmban të njëjtin koncept. Kjo është dhe pikënisja e bërjes së një dhurate të mrekullueshme. Dëgjojmë shpesh herë të thuhet se dëshirat janë më të mëdha se mundësitë. Kjo është e vërtetë, por mund edhe të shikojmë të tjera mënyra po kaq të vyera, ndoshta madje dhe më tepër.

Dhuratat që bëjmë vetë janë dhe më të dashurat. Mund të shfrytëzojmë talentet tona edhe pa qenë profesionist, apo hobit e secilit dhe të krijojmë diçka artistike si kartolina, stoli zbukuruese të periudhës, korniza fotografish, veshje të thurura e shumë të tjera.

Kur koha dhe mjetet e punës janë të kufizuara, mund të bëjmë krijimtari të pjesshme. Për shembull të blejmë një kornizë të thjeshtë, dhe ta lyejmë me gliter dhe të ngjisim mbi të rruaza, lule artificiale ose herbare, pjesë stolish të gatshme e të tjera. Kjo mund të ndodh edhe me filxhanë, ku mund të porosisim të na vënë edhe foto të momenteve të ndryshme që duam të ndajmë me të afërmit, por dhe me jastëk, ku mund të qëndisim, veshje etj. 

Një dhuratë shumë e bukur është t’u dhurojmë të afërmve tanë kohë të lirë. Për shembull nëse janë prindër dhe kanë përgjegjësinë për kujdesin e fëmijëve të vegjël, ose të moshuarve, një ide e mirë do të ishte të përgatisim një ditë të lirshme për ta, duke marrë ne përsipër detyrimet e tyre për disa orë, që këta të dëfrehen ose të bëjnë diçka për veten e tyre. Është e qartë se do ta vlerësojnë, por duhet të jemi tepër të kujdesshëm që t’iu krijojmë siguri dhe qetësi pa ankth për kohën e tyre të lirë, se çdo gjë do të jetë në duar të përgjegjshme dhe të mos kenë merak.

Dhurata më e ëmbël por dhe më e vyer është përherë prezenca e njerëzve të dashur. Është shumë bukur të udhëtojmë pranë të dashurve tanë, të vizitojmë të afërmit, të kushtojmë kohë të komunikojmë me anë të teknologjisë me persona që kemi kohë pa u lidhur dhe të dërgojmë urimet tona e të ndërlidhim zemrat.

 

Ndaje me miqte