0030 210 33 18 483

Digjet kampi, rrugëve të Mitilinit 13.000 refugjatë dhe emigrantë

TV TRIBUNA 09 Shtator 2020

Qendra më e madhe në Europë e pritjes dhe identifikimit të refugjatëve dhe emigrantëve, është djegur krejtësisht.

Bëhet fjalë për qendrën në Moria të ishullit Lesvos, ku shpërtheu zjarr duke u gdhirë e mërkurë dhe shumë shpejt u përhap në gjithë kampin, ku strehoheshin 13.000 njerëz, mes tyre shumë gra dhe fëmijë.

Mjaft prej tyre u ngiten në kodrat rreth Morias, ndërsa shumë të tjerë u drejtuan për në qendër të ishullit, në Mitilini.

Sipas autoriteteve gjithçka filloi kur u komunikua se 35 persona kishin rezultuar pozitivë në testin për Covid-19 dhe duhej të viheshin në karantinë, bashkë me familjet e tyre, por edhe gjithë sa kishin kontaktuar me ta.

Disa prej tyre refuzuan të futeshin në karantinë, ndërsa të tjerë tentuan të dilnin jashtë kampit. Përleshjet filluan shpejt, po ashtu dhe zjarret, duke djegur fillimisht çadrat brenda kampit.

Me përjashtim të zyrave të administratës dhe identifikimit, nuk ka mbetur asgjë në këmbë, ndërsa zjarri vazhdonte të digjte deri në mesditë.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve është djegur tërësisht shërbimi i azilit dhe gjithë pajisjet, ndërsa dëme të konsiderueshme ka pësuar qendra shëndetësore, që ishte dhuratë e qeverisë holandeze.

Qindra refugjatë dhe emigrantë janë grumbulluar në Mitilini dhe situata vazhdon të jetë e nderë.

Ndaje me miqte