Qeveria greke ka shpallur rritjen me më shumë se dy herë të subvencionimit të konsumit të energjisë elektrike për familjet dhe bizneset.
Duke shpallur paketën e re të masave, ministri i mjedisit dhe energjisë, Kostas Skrekas vuri në dukje që “mesazhi i qeverisë është se do të vazhdojmë të mbështesim shoqërinë, me qëllim që të mos mbetet asnjë familje e pambrojtur ndaj krizës energjetike që po përjeton Europa”.
Më konkretisht, në këto masa përfshihen sa më poshtë:
- Për konsumatorët shtëpiakë dhe bizneset që furnizohen nga rrjeti i tensionit të ulët, subvencionimi rritet për muajt nëntor dhe dhjetor në 39 euro në muaj, nga 9 euro që ishte për shtatorin dhe 18 euro për tetorin, me limit konsumimi gjithmonë 300 kwH në muaj.
Për përfituesit e faturës sociale familjare (Kinoniko Ikiako Timologio), subvenciomi bëhet 45 euro në muaj nga 24 euro që ishte për tetorin.
- Për konsumatorët e gazit natyror, përtej rritjes së subvencionimit të ngrohjes (në 170 euro nga 80 euro) dhe uljen 15% të taksës së posaçme për konsumin shtëpiak, do të zbatohet pezullimi i taksës së përdorimit për muajt nëntor dhe dhjetor. Për një familje me konsumim 2 Megavatorë në muaj, siç tha ministri, ulja do të jetë 20-40 euro në muaj. Taksa e përdorimit do të vendoset nga viti 2022, kur do të ulen çmimet e gazit natyror.
- Për bizneset (industri që furnizohet me tension të ulët dhe të mesëm) pezullohen për 5 muaj (nga nëntori deri në mars 2022), faturimet për shërbimet e dobisë së përbashkët (ipiresies kinis ofelias).