0030 210 33 18 483

E vërteta për “bllokimin” e emigrantëve nga Greqia

Robert GORO 23 Mars 2024

Ditët e fundit në radhët e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi u krijua një panik i madh.

Mediat në Shqipëri, me titullin bombastik “Greqia bllokon shqiptarët pas 30 marsit”, nënvizonin -citoj nga mediat në Shqipëri- “nëse jeni në pritje të lejes së qëndrimit dhe keni në duar vërtetimin, nuk mund të udhëtoni as drejt vendit tuaj pas datës 30 mars 2024. Mos bëni gabimin të udhëtoni, sepse nuk do të lejohet hyrja”.

Sigurisht, asnjë fjalë nga sa dëgjuat më sipër nuk qëndron. Mirëpo, kur kjo publikohet në shumicën e mediave në Shqipëri, është normale që njerëzit t’i besojnë.

Si qëndron e vërteta?

Lajmi u bazua në një vendim të ministrit të rendit të datës 28 dhjetor 2023, ku thuhej që lejohet deri në 30 mars 2024 dalja dhe hyrja në Greqi me vërtetimin se ke bërë kërkesë për rinovimin e lejes së qëndrimit.

Në fakt, vendime të tilla dalin çdo vit dhe kanë vlerë 12 mujore.

Dhe kjo praktikë ka filluar që në 2003-shin.

Por vendimi i fundit ishte për tre muaj, pasi në 1 prill hyn në fuqi kodi i ri i emigracionit dhe vendimi i radhës duhej të bazohej te ky ligj.

Ne në TV Tribuna bëmë gjënë më elementare që duhet të bëjë çdo gazetar. Iu drejtuam për sqarim ministrisë së rendit dhe prej andej, në kohë rekord na u përgjigjën se ministri i ka firmosur vendimin e ri që në 16 shkurt dhe dje në mesditë vendimi u publikua në gazetën zyrtare.

Në këtë vendim thuhet:

Gjatë periudhës kohore nga 31/03/2024 deri në 31/12/2024 lejohet një ose më shumë herë dalje drejt një vendi të tretë-me përjashtim të vendeve të zonës Shengen- e qytetarëve nga vende të treta që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi që disponojnë: a)vërtetim të vlefshëm se kanë aplikuar për leje qëndrimi fillestare apo rinovimin e lejes së tyre të qëndrimit; b) vërtetim të posaçëm.

Po ashtu lejohet deri në 31/12/2024 rikthimi i kategorive të mësipërme të qytetarëve nga vende të treta, përderisa kanë dalë apo do të dalin nga Greqia gjatë periudhës kohore nga 1/01/2024 deri 30/03/2024.

Që ta themi më shkoqur: kush ka veveosi katathesit të vlefshme, mund të dalë e të hyjë në Greqi sa herë të dojë, deri në 31/12/2024.

Por lajmi i rremë ka krijuar shqetësime edhe tek shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, pasi qarkulluan zëra që nuk do të lejohet as hyrja me pasaportë, ose siç themi ata me tre mujore. Edhe kjo nuk është e vërtetë dhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë drejt zonës Shengen, përfshirë Greqinë, do të vazhdojë normalisht ashtu sikurse deri më sot.

Të dashur miq. Nuk duam t’i bëjmë qejfin vetes, por do t’ju këshillojmë që, për gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët në Greqi ndiqni dhe besoni vetëm televizionin Tribuna.

Të paktën deri më tani kemi treguar çdo ditë dhe do të vazhdojmë të tregojmë përkushtimin tonë ndaj të vërtetës dhe saktësisë. Sepse vetëm kështu ndihmoheni vërtet edhe ju.

Ndaje me miqte