0030 210 33 18 483

Edi Rama zhgënjen: I lë në mëshirë të fatit shqiptarët në Greqi

Robert GORO

28 Mars 2020

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sqarime të tjera sa i përket planit të qeverisë për të riatdhesuar qytetarët shqiptarë që i kapi jashtë  endit kriza e Koronavirusit.
Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve, ATSH, Rama ka deklaruar:
“Kam lajmëruar që do të riatdhesojmë në Shqipëri 1379 njerëz të cilët janë në një listë të mbyllur. Nuk kam thënë që do të nisim avionin dhe me një avion do të kthejmë 300 mijë njerëz në Shqipëri. Kjo nuk është e mundur. Kjo nuk është e arsyeshme. Kjo nuk është e tolerueshme mbi të gjitha. Edhe Kina ka ndaluar përfundimisht marrjen e njerëzve nga jashtë”.

Të paktën ne këtu në Greqi, nuk dimë që të ishte bërë ndonjë njoftim se po përgatitej një listë e tillë. Më normalja do të ishte që njoftimi të publikohej në faqet e rrjeteve sociale të ambasadës apo të konsullatave, por nga verifikimi që kemi bërë vazhdimisht nuk na ka rezultuar një gjë e tillë.
Mbetet enigmë se nga e kanë marrë vesh ata 1379 qytetarë në të gjithë botën (nga Greqia thuhet se janë vetëm 54), dhe u regjistruan në listën e famnshme... Në këtë enigmë nuk hedh dritë as pohimi i kryeministrit shqiptar se lista e riatdhesimeve, "është një listë e mbyllur, e verifikuar një për një, me studentë që janë në pikë të hallit, me njerëz që kanë mbetur në rrugë, sepse ishin atje për t’u kthyer dhe nuk u kthyen dot, dhe jo një listë e hapur ku tani të fillojnë telefonatat, dua dhe unë të kthehem në Shqipëri se aty në Shqipëri koronavirusi nuk po bën hatanë si këtu". "Njerëzit që kanë ikur atje përpara mbylljes së kufijve me kohë, nuk mund të kërkojnë të vijnë tani”, ka theksuar kryeministri shqiptar.

Nga qindra e qindra mesazhet e ardhura në TV Tribuna që nga vendosja e masave kufizuese, fillimisht në Shqipëri e më pas edhe në Greqi, rezulton se janë qindra bashkatdhetarë që vënia në zbatim e këtyre masave i gjeti në territorin grek.
Janë njerëz që  kryesisht i solli në Greqi halli dhe jo qejfi. Ata nuk janë profetë që të parashikonin se kur do të mbyllej kufiri dhe kështu të largoheshin në kohën e duhur. Tashmë kanë mbetur të ngujuar, robër të një mosinteresimi kriminal.
Nuk është vetëm vështirësia e lëvizjes. Ata duhet të paguajnë një dynja me para që të mbërrijnë me taksi në Kapshticë dhe aty do të duhet të paguajnë edhe gjoba nga 600-1200 euro për shkelje të afatit të qëndrimit, plus vendimit për të mos hyrë në territorin e BE-së për një periudhë 5 vjeçare. 
E përsëris, janë përgjithësisht njerëz hallexhinj, që shfrytëzuan tre mujorshin për të punuar këtu në Greqi e për të nxjerrë ndonjë lek që të mbajnë familjet e tyre në Shqipëri.

Ne që jetojmë në Greqi, kemi ndjekur se si qeveria greke u kujdes për të sjellë në atdhe qytetarët e vet, madje dhe nga vendet kur Koronavirusi po bën kërdinë si Italia apo Spanja. Vuri në dispozicion aviona dhe me fluturime të posaçme e falas i solli këta njerëz në Greqi, ku shumicën i vendosi në karantinë nëpër hotele, duke paguar edhe koston e qëndrimit e tyre.

Qeveria shqiptare mund të bëjë diçka më të thjeshtë: Në marrëveshje me qeverinë greke të vendosë autobusa dhe t'i marrë bashktdhetarët tanë, jo detyrimisht duke shkuar nga qyteti në qytet e nga fshati në fshat, por në disa pika grumbullimi. Dhe me të mbërritur në Shqipëri t'i çojë drejt e në karantinë. Ndërsa, koston mund ta paguajnë vetë qytetarët, meqë kryeministri ynë nuk lë rast pa përmendur që Shqipëria është një shtet i vogël dhe i varfër.

I shkruajtëm që në fillim kryeministrit Rama, duke i parashtruar se cila ishte problematika emergjente e shqiptarëve në Greqi. 
1. Një numër i konsiderueshëm që kanë ardhur me pasaportën biometrike, rrezikojnë të penalizohen për shkak të thyerjes së afatit. 
2. Shumë bashktdhetarëve emigrantë po u skadon pasaporta dhe takimet që kishin caktuar do të realizohen në data të mëvonshme, atëherë kur shërbimet konsullore do të rifunksionojnë. 
3. Bashkatdhetarë të tjerë po penalizohen për shkak të mosvënies në zbatim të marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit, në kohën që i kanë kufizuar lëvizjet me makinë, por kanë edhe ata raste emergjente që duhet t'i përdorin.

Në mesazhin tonë ndaj kryeministrit theksonim:
"Nuk duam t'ju japim mend, por mendojmë se në këtë "kohë lufte", një telefonatë e juaja te homologu grek, Mitsotakis, do të mund të ofronte zgjidhje, qoftë dhe vetëm për sa kohë do të zgjasë situata emergjente".
Ky mesazh ka mbetur ende pa përgjigje, por nuk u pezmatuam, pse menduam që përgjigjja do të na vinte kur të ishte arritur diçka. Mirëpo, për fat të keq, deri tani nuk shohim të jetë arritur as edhe një gjë...
Se përse, mendoj se na e jep përgjigjen vetë kryeministri Edi Rama, i cituar gjithmonë, nga agjencia zyrtare e lajmeve:
"Jo, nuk mund të vini në Shqipëri për faktin se ne këtu nuk kemi numra alarmantë, sepse nëse do ta hapim këtë rrugë, numrat tanë nuk do të bëheshin alarmantë, por do të bëheshin katastrofikë”, theksoi Rama.
Domethënë, kryeministri i konsideron, të paktën ata qytetarët shqiptarë që u ka skaduar apo do t'u skadojë së shpejti qëndrimi në Greqi, si mbartës potencialë të virusit dhe me ardhjen e tyre në atdhe, numrat me të infektuar nga Koronavirusi do të bëheshin jo thjesht alarmantë, por katastrofikë, pohon vetë kryeministri.

E thënë më shqip, Edi Rama u thotë këtyre qytetarëve -që sipas kushtetutës, por edhe kodit moral njerëzor është i detyruar (kryeministri) t'i mbrojë e t'i përkrahë-, u thotë pra: "Bëni çfarë të doni, vdisni nga Koronavirusi, vdiqni nga uria e gjithçka tjetër, vetëm sakën se më shkelni këtu".

Ndaje me miqte