0030 210 33 18 483

Edicioni i lajmeve, 16 prill 2018 (Tekst)

Tribuna TV 16 Prill 2018

Më poshtë vijojnë zhvillimet kryesore të ditës në Greqi, Shqipëri dhe botë.

GREQI
Forca të shumta zjarrfikëse nga toka dhe ajri po veprojnë që nga e diela në zonën e Ilias, për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit në Friksa, Skiluntia dhe Kalivakia.
“Ka një dritare të hapur shansi për arritjen e një marrëveshjeje me dobi reciproke, por në asnjë rast nuk e kemi në xhep këtë marrëveshje”, deklaroi ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrugalos, për negociatat Athinë – Shkup.
“Rezoluta e përbashkët e gjithë grupeve politike do të jetë shumë e ashpër për autoritetet turke dhe do të kërkojë lirimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë” që po mbahen prej më shumë se muaji në burgjet turke, deklaroi nënpresidenti i parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis, duke shtuar se rezoluta do të votohet me shumicë dërrmuese.

Moti në Greqi: Vranësira të dobëta me shtrëngata shiu lokale në zonën e Jonit dhe të Epirit. Temperatura, nga 8 në 26 gradë celsius.

SHQIPËRI
Komisioni Europian do të rekomandojë që Bashkimi Europian të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sipas një projekt-dokumenti të parë që citon nga Radio Europa e Lirë. Dokumenti thekson se reforma e administratës publike [ka qenë] e konsoliduar, me qëllimin për të rritur profesionalizmin dhe depolitizimin e saj. Megjithatë, Komisioni Europian ka paralajmëruar se ”rezultate të vazhduara, konkrete dhe të prekshme për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jenë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë”. Ky dokument është pjesë e paketës së përvitshme të Bashkimit Europian për zgjerimin që do të publikohet më 17 prill në Strasburg dhe që përcakton se sa larg janë vendet joanëtare të BE-së të Ballkanit Perëndimor dhe Turqia në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nga denoncimet e qytetarëve të dërguara në portalin e platformës së bashkëqeverisjes janë shkarkuar në 5 muajt e fundit 46 punonjës të administratës. Në një dalje publike, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni tha se shkeljet janë kryesisht në zyrat e hipotekave dhe Aluiznit. 
Një 40 vjeçar ka plagosur me thikë 3 persona mbrëmjen e së shtunës, në një lokal në fshatin Shën e Premte të Divjakës. Sipas policisë, 40-vjeçari është person me preçedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qënë i dënuar edhe më parë për plagosje me thikë. Në raportin e policisë thuhet se i arrestuari ka probleme të ekuilibrit mendor, dhe të njëjtin krim e ka bërë disa vite më parë, kur ka plagosur një tjetër person me thikë.
Banorët e qarkut të Kukësit dhe mjetet e transportit publik të zonës do të kenë tarifë të reduktuar kalimi në Rrugën e Kombit, njoftoi ministri i infrastrukturës dhe energjitikës Damian Gjiknuri gjatë një vizite në Kukës. “Jemi duke negociuar me koncesionarin, por njëkohesisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorin më shpesh rrugën Kukës-Tiranë” tha ai.
Caktohet trupa gjykuese që do të hetoje ish prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, pavarësisht se ai ka dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. Komisioneri Publik i cili punon pranë organeve të reja të Vettingut ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pranë instancës tjetër të Vettingut që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Llalla dha doreheqjen nga sistemi i drejtësisë në 16 shkurt të këtij viti dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si instancë e parë e Vettingut, ndërpreu procesin e kontrollit të pasurisë së tij.

BOTA – RAJONI
Milo Xhukanoviç ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, pasi rezultatet paraprake e kanë nxjerr atë fitues. Xhukanoviç, që ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe një herë president, ka thënë se fitorja në zgjedhjet e së dielës është “edhe një fitore e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Malit të Zi”. Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se sondazhet e pavarura, kanë rezultuat që Xhukanoviç ka fituar rreth 54 për qind të votave, ndërsa rivali i tij kryesor, Mlladen Bojaniç, rreth 33 për qind.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për të goditur sërish Sirinë nëse përsëriten sulme të tjera kimike. Ky paralajmërim vjen pasi SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca goditën me raketa 3 qytete siriane në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik në Douma, rreth një javë më parë.  Siria ka mohuar përdorimin e agjentëve kimikë dhe thotë se sulmi u fabrikua nga rebelët.  Në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u hodh poshtë një kërkesë të Rusisë për të dënuar sulmet e udhëhequra nga SHBA-të.
Bursat ruse pësuan rënie për shkak të sanksioneve të reja të mundshme amerikane që pritet të miratohen sot.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley deklaroi dje se SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë si pjesë e përgjigjes së saj ndaj një sulmi të dyshuar kimik të kryer nga aleati i Rusisë, Siria.
Regjisori italian Vittorio Taviani, i cili, së bashku me të vëllanë Paolon, ka realizuar disa nga filmat më të famshëm të kinemasë italiane, vdiq në Romë, në moshën 88-vjeçare, njoftuan sot mediat, duke cituar burime të familjes së tij.

Ndaje me miqte