0030 210 33 18 483

Edicioni i lajmeve, 17 prill 2018 (Tekst)

Tribuna TV 17 Prill 2018

Si ngjarje kryesore në Shqipëri veçohet vizita në Tiranë e përfaqësueses për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogherini, që do t’i dorëzojë qeverisë shqiptare progres Raportin për Shqipërinë, me rekomandimin që të hapen negociatat e anëtarësimit të vendit në BE.
Nga Greqia, veçon deklarata e komisionerit europian për financat, Pierre Moscoovici, se “Memorandumet e masave të ashpra po marrin fund për Greqinë”.
Më poshtë vijojnë zhvillimet kryesore deri në mesditën e të martës, 17 prill 2018.

LAJME NGA SHQIPËRIA
Pas ish kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë i lartë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij, njoftoi radio “Zëri i Amerikës”. Sipas ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Në bazë të njoftimit deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Aktualisht Tom Doshi është deputet i parlamentit shqiptar i zgjedhur nën siglën e PSD.

17 Prilli do të shënojë marrjen e rekomandimit nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Do të jetë komisionerja europiane për politikën e jashtme Federica Mogherini ajo që do t’i dorëzojë personalisht qeverisë shqiptare në Tiranë, progres raportin e Komisionit Evropian. Ndërkohë, ambasadorja e BE, Romana Vllahutin, deklaroi se “progres raporti do të njohë punën e mirë të bërë nga Shqipëria”. Megjithatë ky rekomandim nuk shënon hapin përfundimtar drejt hapjes së negociatave, proces që do të varet edhe nga votimi në muajin qershor nga ana e ministrave të jashtëm të vëndeve anëtare.

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar ashpër Gjykatën Administrative duke e cilësuar si “një nga çerdhet më të mëdha të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë”. Zoti Rama e bëri deklaratën e tij gjatë një videointerpelance me minatorët të cilët u ankuan se nuk po gjenin të drejtën e tyre në gjykata. “Lidhur me vendimin e gjykatave është një sëmundje e përgjithshme që ka 20 e kusur vite që vuan kjo shoqëri dhe për këtë arsye ne kemi bërë të gjithë këtë përpjekje për Reformën në Drejtësi dhe për këtë arsye po bëhet dhe vettingu dhe procesi i spastrimit ka nisur”, tha kryeministri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi qeverisë dhe parlamentit gjerman të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Kemi kërkuar mbështetjen e grupit CDU/CSU për hapjen e negociatave, si një akt që do të mbështesë Shqipërinë në një ëndërr që e ndajnë të gjithë shqiptarët, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe si një përpjekje të shtuar për të plotësuar kriteret e paplotësuara në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, reformës në drejtësi, etj.” – deklaroi Basha nga Berlini.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka bërë paralajmërime të ashpra kundër grupeve kriminale në Elbasan, duke deklaruar se “Do t’ua nxijmë jetën”. Gjatë “Forumit të Sigurisë Publike” në Elbasan, ministri i brendshëm u ndal tek operacioni “Forca e Ligjit”, i ndërmarrë në të gjithë vendin. “Janë 3-4 muaj dhe kemi goditur 7 grupe kriminale me 100 persona të arrestuar, drejtues apo anëtarë të grupeve kriminale” tha Xhafaj.

MOTI
Moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira mesatare përgjatë ultësirës Perëndimore, ndërsa në Verilindje dhe Juglindje do të jetë me vranësira dhe reshje të pakta shiu, me shtrëngata në orët e mesditës. Temperaturat nga 7 deri 25 gradë celsius.

LAJME NGA GREQIA
“Memorandumet e masave të ashpra po marrin fund për Greqinë”, deklaroi komisioneri europian për financat, Pierre Moscovici, në intervistë për Forumin progresist Europian. “Të gjithë e dimë se sa të ashpra ishin vitet e fundit për popullin grek, sakrificat e të cilit tani po japin rezultate”, shtoi komisioneri.

Kryeministri Aleksis Tsipras do të inaugurojë në ishullin skajor kastelorizo, dy impiante të reja asfaltimi. Në vazhdim, tsipras do të shkojë në Rodos, ku do të përshëndesë Konferencën për Zhvillimin të Egjeut Jugor.

Ministri i financave, Euklidis Tsakalotos, është nisur për në Boston – SHBA, ku do të ketë një seri takimesh me drejtues kompanish investitorë. Të enjten, Tskalotos shkon në Uashington për punimet e konferencës verore të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Brenda jush do të gjenden biznesmenët që do ta mbajnë vendin në këmbë dekadat e ardhshme”, theksoi lideri i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, duke përshëndetur Shoqatën e Biznesmenëve të Rinj.

Këshilli qendror i Arkeologjisë do të shqyrtojë të martën kërkesën e “Real Madrid TV”, për t’iu dhënë leje xhirimi në Akropol.

Transporti detar do të paralizohet të mërkurën për shkak të grevës 24 orëshe që ka shpallur sindikata e punonjësve të transportit detar (PNO).

MOTI: Vranësira dhe reshje shiu lokale në veri të vendit. Temperatura: 23 në Atikë, 20 në Selanik.

LAJME NGA BOTA
Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian kanë mbështetur të gjitha përpjekjet për të penguar Sirinë të përdorë armët kimike dhe kërkuan rifillimin e procesit politik për t’i dhënë fund konfliktit, pas sulmeve të SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe. “Këshilli theksoi se sulmet ajrore janë kryer në kuadër të masave specifike të marra me qëllimin e vetëm për të penguar regjimin sirian të përdorë sërish armë dhe substanca kimike për të vrarë sirianët”, sipas përfundimeve të ministeralit që u zhvillua në Luksemburg.

Bashkimi Evropian po kërkon kompensim nga Shtetet e Bashkuara për tarifat amerikane në çelik dhe alumin, pavarësisht deklaratave të Uashingtonit se BE-ja nuk është subjekt i rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. BE ka thënë se nuk e pranon justifikimin e “sigurisë kombëtare” në vënien e këtyre tarifave nga SHBA-ja, duke thënë se tarifat janë vënë vetëm për të mbrojtur industrinë amerikane. 

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se nuk e kishte propozuar ende zgjidhjen për Kosovën, kështu që nuk ishte ende i sigurtë nëse do ta mbante premtimin për ta ofruar një gjë të tillë në fund të prillit. Duke paralajmëruar se do të punonte seriozisht, me përgjegjësi dhe në mënyrë kurajoze, Vuçiç theksoi se ky propozim ”nuk do të ishte pa dhimbje për serbët”.

Partia konservatore e Angela Merkel u distancua me projektreformat në zonën euro të presidentit francez, Emmanuel Macron, një ditë para fjalimit të këtij të fundit, në Parlamentin Europian. Unioni Demokristian (CDU) i kancelares kritikoi në mënyrë të veçantë idenë e krijimit të një buxheti të zonës euro për të ndihmuar investimet.

“Jam i qetë, por i indinjuar, si çdo i pafajshëm që indinjohet kur i bëhet një padrejtësi”, shkruajti ish presidenti i Brazilit, Luis Inacio Lula da Sivla, në letrën e parë publike nga burgu, ku ndodhet i dënuar me 12 vjet për korrupsion.

Ndaje me miqte