0030 210 33 18 483

Edicioni i Lajmeve; e enjte, 19 prill

Tribuna TV 19 Prill 2018

Në Shqipëri vazhdon jehona e rekomandimit të KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Seanca parlamentare e ditës së enjtes ka pasur momentin e vet pikant, që u shkaktua nga prania në sallë e Saimir Tahirit.
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Turqi dhe arrestimi i 22 personave të dyshuar si mafiozë në Itali, veçohet në lajmet nga bota.
Nga Greqia, gjithë vëmendja e Athinës është drejtuar në Uashington, ku po fillojnë diskutime të rëndësishme për lehtësimin e borxhit grek, në kuadër të konferencës verore të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

SHQIPËRI
Si gjithmonë, edhe kjo e enjte ka pasur incidentin e vet në parlamentin shqiptar. Opozita ka braktisur sallën, në shenjë proteste ndaj për praninë në seancë të ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, i cili po hetohet për përfshirje në afera korruptive. 

Në sallën e braktisur nga opozita, Kryeministri Rama ka përshëndetur gjatë seancës parlamentare, dhënien e rekomandimit të KE për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Gjithçka kemi bërë me sforco, nuk do të thotë se ka përfunduar, por duhet shumëfishuar, tha kryeministri. 

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se “Shpresojmë që përfundimisht të jepet miratimi për çeljen e negociatave, ndonëse qeveria shqiptare ka dështuar”. Sipas tij, në Europë ka pesimizëm për Shqipërinë. 

Është hapur zyrtarisht tenderi për ndërtimin e rrugës Kardhiq – Delvinë, me gjatësi 34 kilometra dhe kosto 64 milionë euro. Sipas njoftimit të ministrisë së infrastrukturës, pritet që ndërtimi i rrugës të nisë në muajin Qershor, menjëherë pasi shpalljes së fituesit. Rruga Kardhiq – Delvinë është cilësuar një nga akset më prioritare që shkurton me 3 orë kohë nga Tirana në Sarandë.

Makina e një emigranti është përfshirë nga flakët në orët e para të së enjtes, në Belortajë të Korçës. Pronari i mjetit, 26-vjeçari me iniciale D.D., që është emigrant në Greqi. Policia thotë se “nga të dhënat e para, si edhe ekspertiza e kryer në vendngjarje, dyshohet se zjarrvënia mund të ketë qenë e qëllimshme".

Gjatë të enjtes, moti do të jetë me kthjellime në Ultësirën Perëndimore dhe vranësira në zonat malore ku nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të izoluara në mesditë. Temperatura, 10 – 28 gradë celsius.

GREQI
Vëmendja e Brukselit dhe e Athinës është drejtuar në Uashington, ku po fillojnë diskutime të rëndësishme për lehtësimin e borxhit grek, në kuadër të konferencës verore të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qytetarët grekë do të pajisen me letërnjoftime të reja, me standardet teknike të vendeve të tjera të BE-së, deklaroi në parlament ministri i mbrojtjes së qytetarit, Nikos Toskas, duke shtuar se shpallja e tenderit për prodhimin e letërnjoftimeve të reja është çështje ditësh.

Përkatësia greke e ishullit shkëmbor Imia është e qartë mbi bazën e tre dokumentave ndërkombëtarë, deklaroi në parlament ministri i jashtëm, Nikos Kotzias.

Opozita nuk do të lejojë që zgjedhjet për pushtetin lokal të mbahen me sistemin e thjeshtë proporcional, deklaroi kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se partia e tij -në rast se vjen në pushtet- do të rikthejë sistemin e mëparshëm.

Që nga vjeshta, trenat e pasagjerëve do të mund ta bëjnë distancën Athinë – Selanik për tri orë e njëzetë minuta, sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes publike të hekurudhave, TRAINOSE.

Sindikata e transportit detar (PNO) ka shpallur një tjetër grevë 24 orëshe, deri në ora 06,00 të së premtes, 20 prill.

Vazhdon për të tretën ditë rresht pushtimi i sheshit Saphous në Mitilini nga më shumë se 200 emigrantë dhe refugjatë. Ata protestojnë për vonesat e mëdha në shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil.

Moti: Në orët e pasdites do të shënohen reshje shiu në zonat malore të pjesës perëndimore dhe veriore. Temperatura në Athinë, 23 gradë, po aq edhe në Selanik. Prania e pluhurit afrikan do të jetë e shtuar edhe gjatë ditës së sotme. Temperatura: nga 11 – 24 gradë celsius.

BOTA
Presidenti turk Rexhep Tayipp Erdogan shpalli mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare për më 24 qershor, më shumë se një vit përpara afatit. Erdogan tha se kjo bëhet me qëllim që të përshpejtohet kalimi në një presidencë me fuqi ekzekutive si dhe përballja me sfidat që i shtrohen vendit.

Në Itali janë arrestuar 22 persona, të dyshuar se kanë lidhje me familjet Castelvetrano, Campobello di Mazara dhe Partanna duke ngushtuar kështu edhe më shumë rrethin drejt kreut të “Cosa nostra”-s, Matteo Messina Denaro. Akuzat kundrejt të arrestuarve variojnë nga pjesëmarrje në shoqatë mafioze, vjedhje, dëmtim, armëmbajtje pa leje dhe deklarim falso të pasurisë. 

Disa dhjetëra manifestues u arrestuan në Erevan, kryeqytetin e Armenisë, në kuadër të protestave kundër ish-presidentit, Serge Sarkissian, i zgjedhur kryeministër me pushtete të riforcuara. Protestat kundër mbajtjes në pushtet të Sarkissian, kanë hyrë në ditën e shtatë.

95% e popullsisë botërore thith ajër të ndotur. Situata është përkeqësuar dhe në vitin 2016 statistikat flasin për 6.1 milionë të vdekur si pasojë e smogut. Të dhënat janë publikuar nga një OJQ amerikane, që bazohet tek studimet satelitore të integruar me monitorim në tokë. 

Ndaje me miqte