0030 210 33 18 483

Eduard Dervishaj, shqiptari i FIFA-s që po përpiqet të shpëtojë futbollin grek

Albert RUDAJ / TV Tribuna 30 Mars 2018

Futbolli grek është përballur me rrezikun e përjashtimit pa afat nga gjithë veprimtaritë ndërkombëtare; dhe jo vetëm klubet, por edhe ekipet kombëtare.
“Propozojmë pezullimin e menjëhershëm statusit të anëtarit te FIFA-s për federatën greke te futbollit”, -ky ka qenë propozimi që mbikqyrësi i federatës greke nga ana e FIFA-s, austriaku Herbert Hubel, i ka dërguar qeverisë së futbollit botëror me seli në Zyrih.
Në një mbledhje dramatike zhvilluar të enjten në selinë e EPO-s (Federatës greke të futbollit), ka asistuar edhe i dërguari i komisionit mbikëqyrës të FIFA-s, shqiptari Eduard Dervishaj.
Dervishaj, ka qenë diametralisht kundër përjashtimit të futbollit grek. Duke e marrë fjalën në mbledhjen e të enjtes, ai ka deklaruar (sipas njoftimit të publikuar nga EPO):
“Prioriteti kryesor është të përfundojë kampionati. Ekziston rreziku për imazhin e futbollit grek dhe europian. Dua të punojmë së bashku, të jemi të ashpër dhe të dërgojmë mesazhin se po marrim masa kundër dhunës. Nevojiten veprime. Mbështesim dhe kemi besim të plotë te presidenti i EPO-s dhe punën e tij. Kërkojmë që njëlloj ta mbështesë dhe të veprojë bashkë me të, i gjithë komiteti ekzekutiv i federatës. Kërkojmë mbështetjen edhe nga futbolli profesionit. Duhet që Super Liga të përfundojë normalisht dhe të shohim menjëherë akte dhe vendime nga organet gjyqësore. Të shohim se po bëhet luftë kundër dhunës”.

Kush është Eduard Dervishaj
Edhe pse të paktë mund të jenë ata që e njohin apo e mbajnë mend, Eduard Dervishaj është ish futbollit i Dinamos dhe në mesin e viteve 1990, ishte president i FSHF-së. Prej shumë vitesh ai jeton në Spanjë dhe punon në Federatën Spanjolle të Futbollit, si shef i dy sektorëve të rëndësishëm: marrëdhënieve ndërkombëtare dhe licensimit të klubeve. Gjithashtu është dhe anëtar i komisionit të mbikqyrjes të FIFA-s.

Futbolli grek, ende rrezikon përjashtimin
Pavarësisht mbështetjes nga Dervishaj, FIFA do ta shqyrtojë propozimin për përjashtimin e futbollit grek nga veprimtaritë ndërkombëtare. Kështu, që të gjithë do të presin me gjak të ngrirë deri sa të njoftohet vendimi përfundimtar.
Për FIFA-n, grekët “e mbushën kupën” në derbin e ndërprerë PAOK-AEK, kur fotoja e presidentit Ivan Savidhis me kobure në brez bëri xhiron e botës.
Me shumë vonese organi disiplinor i Super Ligës njoftoi të enjten masat ndëshkuese, për ndeshjen e ndërprerë e cila përfundimisht iu dha AEK-ut në tavolinë me rezultatin 0-3.
Më tej, PAOK-ut iu hoqën 3 pikë, do të zhvillojë tre ndeshjet e radhës në Selanik pa praninë e spektatorëve, ndërsa do ta fillojë kampionatin e ardhshëm me minus 2 pikë. Klubi do të paguajë dhe një gjobë prej 63.000 eurosh.
Ndëshkimi për presidentin Savidhis është t’i ndalohet për tre vjet hyrja në ambientet sportive dhe 100.000 euro gjobë. Ndërsa drejtori teknik i PAOK-ut, Lubus Michel, përjashtohet për 90 ditë nga ambientet sportive dhe gjobë 15.000 euro.

Ndaje me miqte