0030 210 33 18 483

Eliminimi nga “Ajaksi”, “Juventus” humbet miliona

ATSH 18 Prill 2019

Humbja dhe eliminimi i “Juventusit” nga “Ajaksi” në Champions League ka sjellë një “tërmet” për të ardhurat ekonomike të klubit italian.

Pas eliminimit në çerekfinale, “Juventusi” dorëzohet në synimin që kishte për të arritur kuotës 100 milionë euro të ardhurash nga edicioni i sivjetshëm i Champions League.

Vetëm për “faj” të Ajaksit, “Zonja e Vjetër” e Italisë është ndalur në kuotën 94.1 milionë euro në total, ku përfshihen shpërblimet e UEFA-s, pa llogaritur të ardhurat nga biletat në “Allianz Stadium” (vetëm në ndeshjen e të mertës u arkëtuan 5 milionë euro).

Sipas bilancit të një të përditshmeje torineze, nga 94.1 milionë euro të arkëtuara; 18.3 milionë vijnë nga marketingu, 15.3 milionë nga bonusi i pjesëmarrjes, 29.7 milionë nga renditja historike e dekadës së fundit, 10.8 milionë nga rezultatet, 9.5 milionë euro nga bonusi për 1/8-at e finaleve dhe 10.5 milionë nga bonusi i çerekfinaleve.

Fakti që nuk do të marrin pjesë në gjysmëfinale u ka kushtuar bardhezinjve 12 milionë euro bonus, shto këtu edhe 1.1 milion euro nga marketingu, me të cilat “Juventusi” do të mund të tejkalonte për herë të dytë, pas sezonit të mbyllur me finalen e Cardiffit, kuotën e 100 milionë eurove; duke mbërritur në kuotën e 107 milionë eurove.

Dështimi në Europë është ndier edhe në bursë. Aksionet e klubit bardhezi kanë rënë me 24 për qind, krahasuar me një ditë më parë. Ndryshe nga “Juvja”, aksionet e “Ajaksit” në bursën e Amsterdamit janë rritur me 10 për qind.

Ndaje me miqte