0030 210 33 18 483

Erdogan bën betimin si president i Turqisë

TV Tribuna 10 Korrik 2018

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, theksoi se do të jetë i denjë për popullin turk pas marrjes zyrtare të detyrës si presidenti i parë nën sistemin e ri të qeverisjes me presidencë ekzekutive.

Pas betimit në Parlamentin e Turqisë, Erdogan mori pjesë në ceremoninë e inagurimit në rezidencën presidenciale në Ankara, në të cilën të pranishëm ishin edhe presidentë dhe kryeministra të shumë vendeve, përfshirë edhe nga rajoni.

“Populli ynë asnjëherë nuk na la vetëm, nuk na la në rrugë. Më 24 qershor na zgjodhi edhe një herë për t’i shërbyer”, tha Erdogan.

“Do të përpiqem të jem i denjë për popullin tonë me vetëdijen se jam presidenti i 81 milionëve, jo vetëm i atyre që na votuan”, shtoi ai.

Të pranishëm në ceremoninë e inagurimit ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Mes të ftuarve të tjerë, ndodheshin kryeministri rus Dmitri Medvedev, presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro, presidenti serb, Aleksandar Vucic, por edhe ish kryeministri italian, Silvio Berlusconi.

Më 24 qershor, Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), fitoi shumicën absolute në zgjedhjet presidenciale me 52,59 % të votave.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum ku u vendos që të kalohej nga sistemi parlamentar në atë presidencial.

 

... dhe prezanton kabinetin e ri qeveritar

Pak orë pas betimit, Presidenti Erdogan prezantoi kabinetin e ri qeveritar.

Në kabinetin me 16 ministra, Erdogan ka emëruar Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Hulusi Akar, si ministër të mbrojtjes dhe dhëndrrin e vet, Berat Albayrak si ministër të Thesarit dhe Financave (në qeverinë e mëparshme ishte ministër i energjisë).

Në postin e ministrit të jashtëm mbetet Mevlud Cavushoglu. Erdogan po ashtu ka preferuar të mbajë në postet e mëparshme ministrin e drejtësisë Abdulhamit Gyl dhe ministrin e Brendshëm Suleyman Soylu.

Të tre këta, ashtu si dhe Albayrak, do të duhet tashmë të japin dorëheqjen nga posti i deputetit.

Ndaje me miqte