Kryeministri grek Aleksis Tsipras do të takohet të martën në Stamboll me presidentin turk, Recep Tayipp Erdogan.
Ftesa ishte bërë pesë muaj më parë, kur dy politikanët e lartë ishin takuar gjatë asamblesë së OKB-së në Nju Jork.
Erdogan propozoi që të zhvillonin një takim pune në Stamboll, për të diskutuar gjithë -çështjet e nxehta që nuk janë të pakta.
Në anën tjetër, janë të pakta pritshmëritë nga takimi i të martës.
Por burime diplomatike thonë se, pavarësisht nga pritshmëritë, vlerësohet si mjaft i rëndësishëm fakti që urat e komunikimit ndërmjet të dy vendeve funksionojnë, me gjithë tensionet e vazhdueshme.
Këto tensione kanë origjinë shumë të hershme, por edhe më të vonshme. Shkaku më i fundit lidhet me vendimin e drejtësisë greke për t’u dhënë azil tetë ushtarakëve turq, që u arratisën në korrik 2016 dhe akuzohen nga Ankaraja si pjesëmarrës në tentativën për grusht shteti.
Gjithsesi, pala greke e ka marrë me shumë seriozitet udhëtimin e kryeministrit në Stamboll.
Tsipras u takua të shtunën me ambasadorin e Turqisë në Athinë dhe menjëherë më pas zhvilloi një mbledhje me ministrat kryesorë, për të shqyrtuar axhendën e bisedimeve me presidentin Erdogan.
Ministri alternat i punëve të jashtme, Jorgos Katrougalos, deklaroi se synimi i Athinës është që të riaktivizohen urat e komunikimit në nivelet më të larta, me objektiv primar, uljen e tensioneve në detin Egje.
Matanë kufirit, kryetari i parlamentit turk, Binali Jildirim, deklaroi se Ankaraja synon “forcimin e miqësisë dhe pakësimin e armiqësisë” me Athinën.