Erdogan, qytetarëve: Nxirreni valutën nga poshtë jastëkëve dhe këmbejeni me lira
Tribuna TV
10 Gusht 2018
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje qytetarëve të shesin të gjithë valutat e huaja dhe të mbështesin lirën e cila ka kapur nivelin më të ulët historik duke humbur deri në 13.5% kundrejt dollarit.
"Ktheni eurot, dollarin dhe arin që mbanin nën jastëkë dhe shkoni në bankë t'i këmbeni ato në lira. Kjo është një përpjekje kombëtare" tha Erdogan në një fjalim në provincën verilindore Bayburt, citon AP.
Më tej ai ka shtuar se "Kjo do të jetë përgjigja e popullit tim për ata që shpallin luftë ekonomike kundër nesh".
Zbritja e monedhës turke ka vazhduar gjatë natës në vazhdën e rritjes së tensioneve midis Ankarasë dhe Uashingtonit , por edhe të shqetësimeve në lidhje me ekspozimin e tepruar të kreditorëve të zonës të BE-së, zbuluar nga Financial Times.
Pas një rënie të madhe të enjten, për një dollar duhen 5.4 lira turke dhe për një euro duhet 6.3 Lira.
Tregu valutor penalizoi lirën fill pas vizitës së një delegacioni turk në Uashington.
Qeveria turke shpresoi se takimi do të shërbente për të afruar palët për një numër çështjesh. Në total, ekspozimi i bankave ndërkombëtare ndaj Turqisë është 264.9 miliardë dollarë.
Ndaje me miqte