0030 210 33 18 483

ESM: Greqia merr të mërkurën këstin prej 5,7 miliardë euro

Tribuna TV 27 Mars 2018

Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), ka miratuar disbursimin e këstit të katërt të kredisë që i është akurduar Greqisë në kuadër të programit të shpëtimit.

Kësti, me vlerë 5,7 miliardë euro do të disbursohet të mërkurën, njoftoi mesditën e të martës bordi i ESM.

Miratimi i këstit u vendos “në vazhdim të përmbushjes nga qeveria greke të gjithë aksioneve të kërkuara”, thuhet në njoftimin përkatës, ku shtohet se ky këst do të përdoret në pagesa për borxhin, shlyerjen e detyrimeve të shtetit ndaj biznesit privat dhe krijimin e një “jastëku likuiditeti”.

Një këst tjetër, me vlerë 1 miliardë euro, gjithashtu u miratua sot dhe pritet që të disbursohet në muajin maj. Por kjo, sipas ESM, do të varet nga “progresi i mëtejshëm” i Greqisë në uljen e detyrimeve të pashlyera ndaj biznesit privat dhe eficencën e sistemit elektronik të ankandeve.

“Me vendimin e sotëm, pranohet puna e madhe e qeverisë greke dhe e popullit grek për realizimin e një pakete të gjerë reformash”, deklaroi kreu i ESM, Klaus Regling, duke iu referuar aksioneve “të rëndësishme” në fushën e privatizimeve, përmirësimin e të ardhurave publike dhe përballimin e kredive të këqija.

Sipas të dhënave të ESM, me disbursimin e këstit të radhës, shuma e ofruar nga mekanizmi i Stabilitetit në kuadër të programit të shpëtimit, shkon në 45,9 miliardë euro, nga 86 miliardë që janë akorduar në total.

Ndërsa shuma e përfituar nga Greqia me tre programet e shpëtimit që prej majit 2010, ka arritur në 187,77 miliardë euro.

Ndaje me miqte