Euroskeptikët drejt pushtetit në Itali?
Tribuna TV
14 Maj 2018
talia, ekonomia e tretë e zonës euro, është në prag të lënies së fatit të saj në duart e dy partive antisistem dhe euroskeptike.
“Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, krerët e partive antisistem ranë dakord për një program qeverisës dhe një emër për postin e kryeministrit”, njoftuan mediat italiane duke cituar burime nga dy partitë.
Lëvizja Pesë Yjet (L5Y) dhe Liga kanë arritur një marrëveshje për qeverinë dhe pritet të njoftojnë emrin e kryeministrit të ardhshëm.
Luigi Di Maio, lideri i L5Y dhe kreu i Ligës, Matteo Salvini (ekstremi i djathtë) do të priten sot në Pallatin Presidencial për të paraqitur detajet e marrëveshjes.
Rreth 70 ditë pas zgjedhjeve legjislative, që nuk mundësuan krijimin e një maxhorance të qartë në Parlament, dy formacionet kanë rënë dakord për të formuar qeverinë e parë antisistem në Itali dhe madje dhe në Europën Perëndimore.
“Që prej ditës së djeshme, Di Maio ka zhvilluar një bisedë të shkurtër telefonike me sekretarin e përgjithshëm të presidencës për ta njoftuar se ishte i gatshëm, së bashku me Salvinin që të merrnin parasysh gjithçka duke përfshirë dhe emrin e kryeministrit të ardhshëm”, theksoi agjencia italiane e lajmeve AGI duke cituar burime nga dy partitë.
Emri i kryeministrit të ardhshëm italian do të miratohet nga presidenti, Sergio Mattarella, i cili do të njoftojë emrin e tij në fillim të javës.
“Kjo do të jetë një qeveri politike dhe jo teknike”, theksoi Di Maio në përfundim të ditës së dytë të përpjekjeve me homologun e ekstremit të djathtë, Matteo Salvini.
Sipas medias italiane, kandidati për të drejtuar Italinë do të jetë një person i tretë që nuk i përket as Ligës dhe as L5Y.
Disa emra janë diskutuar në shtyp si ekonomisti Guido Tabellini, 62 vjeç, diplomatja, Elisabetta Belloni, 59 vjeçe, sekretari aktual i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Michele Geraci, 50 vjeç, profesori i ekonomisë në “New York University de Shanghai” si dhe presidenti i shoqërisë italiane për ndërtimin e anijeve “Fincantieri”, Giampiero Massolo, 63 vjeç.
Sipas Kushtetutës, ministrat emërohen nga presidenti i Republikës me propozim të kryeministrit të zgjedhur.
Ndaje me miqte