0030 210 33 18 483

Fatos Malaj: Nuk jam avokat. Detyra ime - të jem urë lidhëse ndërmjet emigrantëve dhe shtetit grek

Robert Goro 15 Tetor 2018

Prej vitesh sidomos emigrantët e Athinës e njohin mjaft mirë Fatos Malajn. Prej vitesh ka ndihmuar këdo, duke bërë madje dhe të pamundurën.

Prandaj dhe të gjithë e konsiderojnë si një njeri çudibërës dhe i drejtohen për çdo problem. Aty ku ekziston zgjidhje, Fatos Malaj e ka thënë këtë zgjidhje. Jo vetëm drejtëpërdrejtë, atëherë kur bashkatdhetarët kanë pasur një hall me lejen e qëndrimit, por edhe më lart. Deri pranë partive kryesore politike e në parlamentin grek. Ndjekësit e TV Tribuna (deri dje Tribuna News), e dinë mjaft mirë dhe e kanë vlerësuar këtë kontribut që jep ky bashkatdhetari ynë i nderuar.

Thamë, e konsiderojnë si “çudibërës” dhe prandaj i kërkojnë që t’u zgjidhë të gjitha hallet, a thua se mban në dorë një shkop magjik.

Dhe jam i sigurt që Fatos Malaj do të dëshironte me gjithë shpirt që ta kishte këtë shkop magjik. Por ja që s’e ka... Fatos Malaj është i ndërgjegjshëm për mundësitë dhe “kompetencat” e tij”.

Prandaj dhe ndihet “fajtor” përballë bashkatdhetarëve e detyrohet të bëjë këtë sqarim në Facebook, të cilin po i ribotojmë:

 

"Të nderuar miq.

Shkaku i këtij postimi është të bëj një sqarim për miqtë e mi në Facebook. Më vijnë çdo ditë me dhjetra mesazhe për ndihmë për sa i përket çështjeve të emigracionit, lejeve të qëndrimit etj.

Dëshiroj të sqaroj se nuk jam as avokat që merrem me problemet e emigracionit, as sekser, kështu që nuk kalon asgjë nga dora ime.

Si ndërmjetës ndërkulturor i çertifikuar nga shteti Grek dhe Bashkimi Europian, dhe studjues mbi çështjet e politikave të emigracionit, detyra ime është të bëhem urë lidhëse mes emigrantëve në Greqi dhe autoritetet greke, funksion që e kam kryer disa vite rresht.

Gjithashtu në kuadrin e dëshirës sime për informimin më të mirë të emigrantëve, kam ofruar opinion dhe këshilla për çështjet e emigracionin në shtypin e përditshëm, në emisione televizive apo website të specializuar.

Të nderuar miq, jeni të lutur të mos dërgoni email, ose mesazhe në profilin tim, për të kërkuar ndihmë ose lehtësime, sepse nuk është ky funksioni im.

Ndihmën time e kam ofruar dhe do vazhdoj ta ofroj në mënyrë indirekte duke këshilluar dhe ndërhyrë në organet vendimmarrëse për politikat e emigracionit, ose duke bërë sqarime dhe publikime në media.

Ju faleminderit për mirëkuptimin".

Ndaje me miqte