Autoritetet amerikane kanë zbuluar ndoshta vrasësin serial më të tmerrshëm në historinë e vendit.
Samuel Little, 79 vjeç, ka pranuar se ka vrarë 93 persona, ndërkohë që Byroja Federale e Hetimeve (FBI), ka verifikuar deri në këto momente 50 prej këtyre krimeve.
Shumica e viktimave të Little-it, që i kreu vrasjet nga 1970 deri në 2005, ishin femra.
Little po vuan dënimin me burgim të përjetshëm që nga 2014-a, kur pranoi dhe u dënua për tre vrasje. Mirëpo, bilanci i tij duket se është shumë më i madh, i frikshëm.
“Për vite të tëra, Little besonte se nuk do të kapej kurrë, pasi mendonte që viktimat nuk i interesonin askujt”, shpjegoi Christie Palazzolo, analiste e FBI-së.
“Edhe pse Little faktikisht ndodhet në burg, FBI konsideron që është e rëndësishme të jepet drejtësi për secilën prej viktimave të tij”, shtoi analistja.
FBI konsideron se gjithë deponimet e Little janë të besueshme dhe ka krijuar një ueb sajt të posaçëm, ku secili mund të shikojë videot nga deponimet, si dhe skicat e viktimave që nuk janë identifikuar ende.
“Shumë prej vdekjeve u konsideruan fillimisht se i dedikoheshin overdozës, aksidenteve apo shkaqeve të pazbardhura. Shumë prej kufomave nuk u gjetën kurrë”, informon FBI.
Samuel Little, një ish boksier afro-amerikan, njihet dhe me emrin Samuel McDowell. Ai u arrestua për herë të parë në 2012, në një qendër për të pastrehët në Kentucky (Kentaki). U ekstradua në Kaliforni, në kuadër të hetimeve për një çështje droge.
Pasi mbërriti në Kaliforni, analizat gjenetike i shtynë autoritetet lokale të ndërlidhnin me Little tri çështje që kishin mbetur të pazbardhura -të ashtuquajturat cold cases- dhe si rezultat u dërgua në bankën e të akuzuarve dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e tri femrave në Los Angeles, ndërmjet viteve 1987 - 1989.
Të tria i kishte rrahur keq dhe pastaj i kishte mbytur me duart e veta.