0030 210 33 18 483

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi: Ja pse refuzojmë ftesën për Samitin e Dytë të Diasporës

FSHSHG 10 Shkurt 2019

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG), ka shpjeguar publikisht arsyet pse refuzon pjesëmarrjen në Samitin e Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në harkun kohor 28 shkurt - 2 mars në Tiranë.

Sipas drejtuesve të FSHSHG, refuzimi lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për Këshillin Koordinues të Diasporës, si dhe me buxhetin “e fryrë”, në kohën që, siç nënvizon, “prej vitesh organizatat emigrante, në gjithë botën, realizojmë me kontribut vullnetar e buxhet zero aktivitete madhështore”.

FSHSHG ka dhe një mesazh personal për kryeministrin Edi Rama, të cilit i bën me dije se “ky samit është shumë larg ambicieve Tuaja. forma e parashtruar dhe e faktuar e realizimit shkakton indinjatë të thellë, zhgënjim dhe keqardhje pa masë!”.

 

I gjithë teksti i deklaratës, publikuar në profilin zyrtar të FSHSHG në Facebook, ka si më poshtë:

 

 

Gjërat e mëdha fillojnë nga të voglat!

Komuniteti shqiptar në Greqi reagon hapur dhe me argumenta, në lidhje me parodinë e radhës: Samitin e Diasporës!

Të bashkuar dhe pa asnjë hezitim do të ngremë zërin për të informuar gjithë shqiptarët/shqipfolësit rreth padrejtësive dhe injorimit të thellë që i bëhet sërish diasporës-realisht emigrantëve shqiptarë nëpër botë!

Ndërkohë që nuk do të stepemi aspak, por do përballemi me qeverinë shqiptare, në dijeni të plotë se lufta me politikën e korruptuar apo politikanët e shitur nuk fitohet lehtë, por betejat e drejta dhe të bazuara në principet e demokracisë dhe moralit të lartë, PO.

 

Historiku

Samiti i dytë i Diasporës troket në prag pranvere, 28 shkurt-2 mars 2019! Sa hare dhe shpresë ngjalli ky lajm, akoma pa u konfirmuar mirë! Ndjenja respekti dhe mirënjohjeje përshkuan jo vetëm komunitetin tonë, por mbarë shqiptarët jashtë atdheut. Megjithëse iniciativë e përsëritur, pas eksperiencës zhgënjyese të 2016-ës, fakti që ftesa erdhi nga një dikaster shtetëror apostafat për diasporën - pavarësisht dobësive të shumta të konstatuara tashmë- ngjalli eufori e interesim!

E pranojmë, komuniteti i shqiptarëve në Greqi, ishte më i përgatituri për shuplakën e radhës!

Vështirë se fshihen njollat e errëta nga vizita Pandeli Majko në Athinë më 27 Janar 2018, nga fjala epike në selinë e diplomacisë, me prapashtesat me aromë raciste për kryesinë e Forumit Grek të Emigrantëve, apo snobizmin e papërshkruar kundrejt të pranishmëve. Video qarkullon akoma, për sa e vënë në dyshim.

Megjithatë, për të justifikuar sadopak ministrin, përgjegjësia e madhe bie në supet e “informatorëve” që u kujdesën me përkushtim të keqinformojnë qeverinë e gatshme historikisht për të ironizuar nivelin e shqiptarëve të këtushëm, me çdo lloj epiteti të turpshëm, thua se nuk janë shumica pjesë e jona, apo thua se janë më të ditur, më të shkolluar a më të suksesshëm! Fatkeqësi jo për ne, aspak për familjen e nderuar emigrante, as që e cënon rininë tonë të adhurueshme!

Bëhet fjalë për të njëjtët politikanë që na e rrëmbejnë votën me mani të paparë, ashtu si turren të babëzitur pas mitingjeve me militantët nëpër tavernat greke me pronarë shqiptarë, ku shpalosen talentet e oratorisë bindëse dhe shitblerjes së posteve për pretenduesit e verbuar megalomanë. Kemi qenë edhe ne diku aty si neutralë, altruistë, dëshmitarë...

Dy janë problemet madhore në këtë samit, të cilët nuk mundemi dhe nuk duhet lejuar të anashkalohen:

 

1

Kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës

Kushtet dhe mënyra e zgjedhjes së përfaqësuesve përcaktohet hollësisht në vendimin e qeverisë me nr 340 të datës 6 qershor 2018, ku konkretisht parashikohet se “Numri i kandidatëve duhet të jetë jo më pak se dyfishi i numrit të përfaqësimit, duke i’u referuar rendit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 20, të ligjit nr 16/2018 “Për diasporën”. Në vendimarrjen dhe transparencën për Samitin, tabela e pjesëmarrësve e ditëve më parë, pasi nuk është mbyllur akoma aplikimi, referohet në 100 individë nga Greqia, ku sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Brendshme greke, ndodhen mbi 600.000 disponues lejesh qëndrimi, në kategori të ndryshme legalizimi.

Kandidatët për Këshillin Koordinues të Diasporës nga Greqia janë vetëm katër (4)! Bëhet fjalë për:

Eda Gemi

Rodolf Xhillari

Artur Bibe

Aqif Bozhiqi

Gjithashtu, theksohet se kandidaturat erdhën sipas procedurës ligjore paraprakisht të propozuara nga ambasadat e akredituara jashtë vendit.

Duke shqyrtuar kriteret e renditura, vihet re se të paktën këtu në Greqi plotësohen nga qindra (ndoshta dhe mijra) shqiptarë intelektualë, me karrierë të suksesshme e atdhedashuri të lartë. Shumica e tyre, madje, kontribuojnë prej vitesh, se çfarë tjetër është sakrifica deri në vetëmohim, e domosdoshme për të triumfuar sidomos në Greqi, për çdo emigrant modest e pa asnjë mbështetje.

Ku janë mësueset e gjuhës shqipe, në qindra kurse vullnetare? Ku janë mjekët, infermierët, arkitektët, kontabilistët, financierët, ekonomistët, inxhinjerët, njerëzit e biznesit, të diplomuarit, studentët, të gjithë ata që eliminuan ndjenjën e inferioritetit vendas ndaj fqinjëve dikur të prapambetur, që ndodhen çdo ditë në vijën e parë, të integruar plotësisht, të mirëinformuar, njerëzit e mirë e të saktë, thesari i vyer i Shqipërisë në rrugën plot hendeqe drejt BE-së?

Nga ana tjetër, të nderuar, këto kandidatura për ne, “njerëzit e shtëpisë”, që njohim kurrikulin real e jo atë virtual, lënë shumë për të dëshiruar, akoma dhe karrierat akademike të degëzuara këndshëm, por pa rrënjë!

Ambasada thjesht dërgoi pak, fare pak, militantë të partisë Socialiste në Greqi, më të priviligjuarit ndër të favorizuarit!

 

2

Buxheti

Të nderuar, ky është vendimi i qeverisë Rama për koston e samitit të diasporës:

V E N D I M

Nr. 11, datë 9.1.2019

KËSHILLI I MINISTRAVE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019 PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, 1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, brenda datës 31 janar 2019, për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt - 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë.

Po, mirë e lexuat, 66 972 800 lekë, bashkangjitur keni dhe tabelën e shpenzimeve.

Faleminderit për transparencën e detyrueshme, por nuk jemi dakort! Vështirë të besojmë koston e tillë për një takim thuajse 3-ditorë, ndërkohë që prej vitesh organizatat emigrante, në gjithë botën, realizojmë me kontribut vullnetar e buxhet zero aktivitete madhështore. Gjithashtu, jemi të bindur se shumica e bizneseve dhe individëve brenda apo jashtë kufijve ofron falas shërbimet për realizimin e një takimi të tillë, kaq emocionues e të vyer për fuqizimin e vatrës shqiptare! Së fundi, buxheti kolosal është mëse abuzues kur shifrat e shqiptarëve që ikin nga sytë këmbët, shtohet nga dita në ditë, kur skamja e papunësia janë ulur këmbëkryq në atdhe dhe shpenzimet për këto pak aktivitete janë krejtësisht jashtë çdo logjike.

 

Drejtuar kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama

I nderuar z. Kryeministër!

Si një orator mbresëlënës, Ju shpreheni aq bukur, me një referim në lëndën tonë mësimore këtu në Greqi se “Udhëtimi i Odisesë drejt Itakës është një imazh shprehës se si kombi, një bashkësi gjithmonë në rrugëtim, është po ashtu një nocion dhe një koncept në shndërrim të vazhdueshëm. Me këto premisa edhe Samiti II i Diasporës shqiptare do të ketë doemos një fizionomi të re, ndryshe nga i pari.”

Fatkeqësisht, me të dhënat e deritanishme, ky samit është shumë larg ambicieve Tuaja.

Jo vetëm që nuk ka fizionomi të re, por përkundrazi, forma e parashtruar dhe e faktuar e realizimit shkakton indinjatë të thellë, zhgënjim dhe keqardhje pa masë!

Z. kryeministër!

Në këto kushte, komuniteti shqiptar në Greqi, aspak neglizhues ndaj detyrimeve apo thirrjes së vendit amë, i bashkohet zërit protestues brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Nuk falet, as shitet Shqipëria zoti Edi Rama!

Ndaje me miqte