Finlanda dhe Suedia në NATO, Rusia paralajmëron, Turqia "nuk e sheh pozitivisht"?...
TV TRIBUNA
13 Maj 2022
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë të jenë në prag të aplikimit për anëtarësim në NATO.
Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe Kryeministrja Sanna Marin thanë të enjten se Finlanda, e cila ndan një kufi të përbashkët me Rusinë prej 1300 kilometrash, duhet të aplikojë "pa vonesë" për t'iu bashkuar NATO-s.
"Shpresojmë që hapat që duhen ndërmarrë në vend për të arritur tek ky vendim do të ndërmerren me shpejtësi gjatë ditëve në vazhdim", thanë ata.
Në Suedi, Partia Socialdemokrate në pushtet pritet të vendosë të dielën nëse do të ndryshojë politikën prej dekadash kundër anëtarësimit në NATO, një lëvizje që do ta shtynte me siguri Stokholmin drejt aplikimit për anëtarësim në aleancën e përbërë nga 30 vende.
Moska ka paralajmëruar se mund të dislokojë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën e saj në Evropë, Kaliningradin, nëse këto dy vende paraqesin aplikimet për anëtarësim, duke sinjalizuar kështu për një periudhë të tensionuar pritjeje gjatë muajve që nevojiten për ratifikimin e anëtarësimeve të reja nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
NATO-ja dhe Shtëpia e Bardhë kanë shprehur besimin se munden t'i përballojnë të gjitha shqetësimet e sigurisë gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme.
Por, cilat janë disa nga aspektet që sollën këtë ripozicionim radikal të politikave për hapat e ardhshëm që nevojiten për t'u anëtarësuar në aleancën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara?
- Të dyja këto vende kanë qenë neutrale që nga Lufta e Dytë Botërore dhe kanë forca të vogla ushtarake.
- Finlanda fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe luftoi dy herë kundër saj gjatë luftës, duke humbur edhe pjesë të territorit që e mori Moska. Finlanda nënshkroi një Marrëveshje Miqësie, Bashkëpunimi dhe Asistence të Ndërsjelltë me Rusinë në vitin 1948, duke finalizuar kështu një varësi ekonomike dhe politike dhe duke u izoluar ushtarakisht nga Evropa Perëndimore.
- Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik i mundësuan Finlandës të dilte nga zona e influencës së Rusisë, ndërkohë që ra rreziku nga Moska.
- Suedia nuk ka bërë luftë prej 200 vitesh dhe politika e saj e jashtme është përqëndruar në forcimin e demokracisë ndërkombëtare, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.
- Suedia i kushtoi më pak rëndësi ushtrisë së saj gjatë Luftës së Ftohtë, duke shpresuar se në rast të një konflikti do të mund ta vononte një avancim rus derisa t'i vinin në ndihmë. Ofensiva e Presidentit rus Putin në Ukrainë, e ka bërë shumë më tërheqëse garantimin e një ndihme ushtarake.
- Finlanda dhe Suedi kaluan nga një neutralitet zyrtar, drejt një paanësie ushtarake në vitin 1995 kur hynë në Bashkimin Evropian.
- Të dyja vendet i janë afruar më shumë NATO-s gjatë viteve të fundit, duke shkëmbyer informacione zbulimi dhe duke marrë pjesë në stërvitjet e aleancës, në përgjigje të një Rusie gjithnjë e më agresive.
- Anëtarësimi në NATO do t'i vendoste Suedinë dhe Finlandën nën mbrojtjen e Nenit 5, i cili garanton se një sulm ndaj një vendi aleat në NATO është një sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare.
Finlanda dhe Suedia do të donin të kishin disa garanci se vendet anëtare të NATO-s do t’i mbrojnë për sa kohë që do të shqyrtohet kërkesa e tyre dhe derisa të bëhen anëtare me të drejta të plota.
Anëtarësimi mund të zgjasë edhe një vit, thonë burime të NATO-s, teksa parlamentet e 30 vendeve anëtare duhet të ratifikojnë anëtarësimet e reja.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Shtoltenberg theksoi se të dy vendet do të mund të anëtarësoheshin shpejt dhe u deklarua i sigurt se do të mund të gjenden rregullatorët për periudhën e ndërmjetme.
Ndërkaq, rezerva për anëtarësimin e Finlandës dhe t[ë Suedisë në NATO shprehu të premten presidenti turk, Recep Taip Erdogan.
“Turqia po i ndjek zhvillimet lidhur me Finlandën dhe Suedinë, ndërkaq nuk e sheh pozitivisht një anëtarësim të tyre në NATO”, deklaroi Erdogan.
Moska ka paralajmëruar vazhdimisht për “pasoja serioze”, nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, duke thënë se do të forcojë forcat tokësore, detare dhe ajrore në detin baltik, ndërsa ka përmendur edhe mundësinë e instalimit të raketave bërthamore në atë rajon.
Gadishulli Kola, në Rusinë veriperëndimore, në lindje të kufijve me Finlandën dhe Norvegjinë, është një “bastion strategjik” që Moska e konsideron si kyç për sigurinë e saj kombëtare dhe është gjithashtu baza e flotës ruse të veriut.
Qyteti i dytë më i madh i Rusisë, San Petersburgu gjendet rreth 170 km nga kufijtë me Finlandën.