Faleminderit që më riktheve në shesh, ishin ndër fjalët e fundit të papa Françeskut, raporton Vatican News.
Dhe ky është falënderimi për të gjithë ata që në këtë kohë sëmundjeje, por edhe shumë kohë më parë, e kanë vëzhguar pa u lodhur Atin e Shenjtë, mes të cilëve Massimiliano Strappetti, infermieri që, siç tha dikur, i shpëtoi jetën duke i sugjeruar që t’i nënshtrohej një operacioni në zorrën e trashë dhe të cilin Papa e emëroi më pas asistent shëndetësor.
Pranë tij për të gjitha 38 ditët e shtrimit në spitalin ”Gemelli” dhe 24 orë në ditë gjatë rikuperimit të tij në ”Casa Santa Marta”, Strappetti ishte me papën të dielën e Pashkëve, gjatë fjalimit ”Urbi et Orbi”.
Një ditë më parë ata kishin shkuar në Bazilikën e Shën Pjetrit për të parë rrugën nga do të shkonte Françesku kur të dilte nga ”Loggia delle Benedizioni”.
Dhe pas atij momenti, të dielën në mëngjes, në ballkonin në zemër të fasadës së Bazilikës së Vatikanit, kur 35 000 besimtarët fillestarë ishin bërë tashmë 50 000, papa donte të bënte një surprizë të fundit, domethënëse duke shkuar në sheshin e Shën Pjetrit për një shëtitje me makinë.
Jo pa frikë ai e pyeti Strappetin se “a mendon se mund ta bëj?” dhe ky i fundit e qetësoi sërish.
Prej andej ”përqafimi” me turmën dhe në veçanti me fëmijët.
Ishte udhëtimi i fundit i jetës së tij.
I lodhur, por i lumtur.
Papa falënderoi ndihmësin e tij personal shëndetësor me fjalët ”faleminderit që më riktheve në shesh”.
Fjalë që zbulojnë nevojën që Papa argjentinas kishte për t’u rikthyer mes njerëzve.
Françesku pushoi pasdite dhe kishte një darkë të qetë.
Rreth orës 05:30 u shfaqën shenjat e para të sëmundjes, me ndërhyrjen e shpejtë të atyre që e vëzhgonin.
Më shumë se një orë më vonë, pasi përshëndeti me dorë Strappettin, papa ra në koma.
”Nuk vuajti, gjithçka ndodhi shpejt”, thotë dikush që ishte pranë tij në momentet e fundit.
Një vdekje gati e papritur, pa pritje të gjata dhe shumë bujë për një papë që e ka mbajtur gjithmonë shumë të fshehtë gjendjen e tij shëndetësore.
Një vdekje që ndodhi një ditë pas Pashkëve, një ditë pasi kishte bekuar Qytetin dhe Botën, të nesërmen pasi kishte përqafuar edhe një herë, pas një kohe të gjatë, njerëzit.