Fluturimi i parë i avionit më të madh në botë
ATSH
15 Prill 2019
UASHINGTON, 14 prill /ATSH-AFP/ – Kompania amerikane ”Stratolaunch” njoftoi kryerjen e fluturimit të parë në formë testi të avionit më të madh në botë mbi shkretëtirën kaliforniane.
Avioni i pazakontë i ndërtuar nga kompania e famshme në fushën e inxhinierisë aeronautike ‘’Scaled Composites’’ në shkretëtirën e Mojave përbëhet nga dy avionë të bashkëngjitur në një trup të vetëm dhe vihet në lëvizje nga gjashtë motorrë Boeing 747.
Ai pritet të shërbejë në teori për të transportuar dhe lëshuar në lartësi një raketë të vogël që do të vërë ndërkohë në punë motorrin e saj dhe do të lëshohet me vrull drejt hapësirës për të vendosur satelitë në orbitë. Kjo është një metodë për të patur akses në hapësirë në mënyrë më të përshtatshme sesa ngjitjet vertikalisht të raketave, pasi avionit do t’i nevojitej vetëm një pistë e madhe për t’u shkëputur nga toka.
"’Avioni 'Stratolaunch' u ngrit nga aeroporti i Mojaves, në Kaliforni rreth orës 06:58 sipas asaj lokale dhe qëndroi në ajër për gati dy orë e gjysmë’’, bëri të ditur kompania në një komunikatë të lëshuar sot. Deri më tani avioni kishte kryer vetëm teste në tokë.
Shpejtësia maksimale gjatë fluturimit ishte 304 kilometra në orë, dhe avioni u ngjit deri në 5.182 metra lartësi.
Ndaje me miqte