Fofi Genimata kërkon zgjedhje të parakohshme
Tribuna TV
02 Maj 2018
Mbajtjen e zgjedhjeve, me qëllim që populli grek të vendosë për kushtet dhe garancitë e daljes nga kriza dhe të përzgjedhë se kujt i beson për këtë rrugë, ka kërkuar kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Fofi Genimata, me një letër drejtuar kryetarit të parlamentit.
“Vendi, ekonomia, shoqëria jonë, nuk mund të shpihen në të ardhmen e vështirë të pa mbrojtur dhe të pasigurt. Qeveria nuk ka asnjë legjitimitet popullor që të ndërmarrë angazhime të tilla të vështira”, nënvizon mes të tjerash zonja Genimata.
Në letrën e vet vë në dukje se “gjithë forcat politike të vendit kanë obligimin të informojnë popullin grek për përmbajtjen dhe propozimet e tyre për krijimin e një vije kombëtare të daljes nga kriza”.
Sipas zonjës Genimata, qeveria mund “të propagandojë daljen e pastër nga kriza, por situata është krejtësisht e ndryshme”.
“Me mungesën e një projekti të kompletuar kombëtar me konsensus të gjerë për ecurinë e vendit pas daljes nga programet dhe pamundësinë e negocimit thelbësor nga SYRIZA/ANEL, vendi rrezikon të gjendet para situatave jashtëzakonisht të vështira periudhën e ardhshme”, vë në dukje dhe shton se “qeveria po e shpie vendin në një rrugë të rrezikshme, në ujëra të panjohura”.
Paralelisht, sulmon Demokracinë e Re e cila, siç thotë Genimata, “tregon se po përsërit papërgjegjshmëritë e të shkuarës së afërt pa arritur të bindë konkretisht se i ka kuptuar përgjegjësitë politike për veprimet që e çuan vendin në krizë dhe në programet shtrënguese”.
“Prandaj, Lëvizja për Ndryshim beson se tashmë është momenti që populli grek, ai dhe vetëm ai, të vendosë për kushtet dhe garancitë për daljen eficente nga kriza dhe të përzgjedhë se kujt do t’i besojë të drejtojnë këtë rrugë”, përfundon Fofi Genimata.
Ndaje me miqte