0030 210 33 18 483

FSHSHG: Më 17 shkurt aksioni për dhurimin e gjakut. Thirrje për pjesëmarrje masive

Tribuna TV 05 Shkurt 2019

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi (FSHSHG), po e bën traditë fushatën për dhurimin e gjakut. Një nismë e shkëlqyer, e cila, përveçse përcjell një mesazh të qartë solidariteti njerëzor nga ana e bashkatdhetarëve, përbën edhe një kontribut të vyer shoqëror.

Kësaj here, fushata do të zhvillohet të dielën, më 17 shkurt, nga ora 10,00 – 14,00 në mjediset e FSHSHG.

Marrja e gjakut do të kryhet nën mbikëqyrjen e spitalit shtetëror “Evangelismos” – një tjetër shenjë e partneritetit institucional të Federatës.

Nëpërmjet një thirrjeje drejtuar gjithë bashkatdhetarëve kudo që ata ndodhen në Greqi, FSHSHG i fton ata t’i bashkohen masivisht këtij aksioni human dhe social.

Vijon thirrja:

 

Të nderuar bashkatdhetarë!

Në më pak se një vit prej çeljes së saj, Banka e Gjakut e Komunitetit Shqiptar, ka mbështetur dhjetra nevoja urgjente për gjak në gjithë Greqinë.

Burra, gra, të rinj, të reja dhe fëmijë, të përballur me fatkeqësi të papritura, na u drejtuan duke arritur të kryejnë në kohë ndërhyrje urgjente kirurgjikale, të domosdoshme për gjendjen e tyre shëndetësore.

Nevojat janë të mëdha për fat të keq, dhe ndërgjegjësimi i kandidatëve dhurues ende i vogël. Dhurimi i gjakut është një nga gjërat që kemi në dorë për t’i dhuruar jetë dikujt.

Bashkojuni nismës tonë, që të vazhdojmë të mbështesim nevojat e shumta të bashkatdhetarëve tanë e jo vetëm për gjak, kudo që ndodhen në Greqi.

Procesi zgjat shumë pak dhe koordinohet nga specialistë të spitalit të njohur shtetëror “Evangjelismos”. Dhurimi i gjakut nuk dhemb dhe nuk i bën keq shëndetit tuaj, përkundrazi!

Gjak mund të dhurojë kushdo nga mosha 18-60 vjeç (60 vjeç për ata që kanë dhuruar 5 vjeçarin e fundit dhe deri me 50 vjeç për ata që nuk kanë dhuruar ndonjëherë) dhe që nuk kurohet për sëmundje serioze. Grupi i gjakut nuk ka rëndësi.

Nëse banoni në Athinë:

E diel 17 shkurt 2019, ora 10:00 – 14:00. Adresa, pranë Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi: rruga Deligjiorgji 55-59, Metaksurgjio, zilja FSHSHG, kati i 4-t.

Nëse banoni jashtë Athinës:

Vizitoni cilindo spital gjendet në afërsi të banesës suaj gjate orarit përkatës dhe ofroni gjak duke përmendur DOMOSDOSHMERISHT që dëshironi të dhurohet për Bankën e Komunitetit Shqiptar me numër regjistrimi 14528 (“Epithimo i prosfora mou na katahorithei ston arithmo mitroou 14528).

E njëjta gjë vlen dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të ofrojnë gjak gjatë gjithë vitit në të gjithë Greqinë, përfshirë edhe ishujt.

Për çdo pyetje dhe paqartësi, drejtohuni në nr. e telefonit 6972192895.

 

Ejani me ne të dielën 17/02/2019, ora 10:00-14:00!

Të gjithë së bashku, ambasadorë të vlerave më të larta njerëzore.

Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi

Ndaje me miqte