Gazeta gjermane: Kreditorët shpëtuan veten, jo Greqinë
Tribuna TV
22 Gusht 2018
“Programet e kredive për Greqinë po përfundojnë, janë dhënë miliarda, por cilin apo çfarë pikërisht shpëtuan kreditorët”, shtron pyetjen gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”, në një analizë interesante...
Tribuna TV po boton një përmbledhje të këtij shkrimi:
Këto ditë po dëgjohen sporadikisht disa gjëra për Greqinë. Nga njëra anë ngase ministri i brendshëm ka rënë dakord për diçka me Athinën, që mund të shitet si sukses (përballimi i refugjatëve) dhe nga ana tjetër, ngase 20 gushti shënon përfundimin e programeve kreditore europiane dhe përfituesi fatlum po qëndron sërish në këmbët e veta”, thuhet ndër të tjera në shkrim.
Mirëpo, cili është përfituesi fatlum? Janë qytetarët grekë? Jo, të paktën jo shumica e tyre, përderisa thuhet që qindra mijëra grekë duhet të mbijetojnë me më pak se 400 euro në muaj. Pensionet janë reduktuar, sistemi shëndetësore nuk duhet nëse do të mundë t’i shpëtojë kur të kenë probleme me shëndetin, TVSH-ja është rritur pas urdhërit të kreditorëve dhe godet kryesisht shtresat më të dobëta, ndërsa ekspertët i druhen një shpërthimi të varfërisë.
Jo, askush nuk i ndihmoi qytetarët grekë dhe askush nuk i shpëtoi. Aspak e çuditshme, përderisa në buxhetin e shtetit grek u fut vetëm rreth 10% e 300 miliardë eurove të kredive, sipas përllogaritjeve shumë të besueshme. Pjesa më e madhe shkoi për bankat problematike dhe për kreditorët e shtetit grek.
Gjermania inkasoi gjatë periudhës së “programit të shpëtimit” 2,9 miliardë si interesa nga Greqia ndërsa buxheti gjerman funksionon thjesht si garant, çka do të thotë që nuk iu desh që t’i japë Greqisë as edhe një cent.
Mirëpo, përllogaritjet e të ashtuquajturve “shpëtimtarë” janë natyrisht të ndryshme. Tani që Greqia ka një buxhet të ekuilibruar, rikthehet besimi i tregjeve. Rrjedhimisht, asnjë problem përderisa Athina do të mundet të huazojë paratë që i nevojiten për të shërbyer borxhin e vet -veç të tjerëve- edhe ndaj BE-së. Falë një klime miqësore ndaj investimeve (dhe reduktimin kolosal të pagave, gjë ndërkaq që thuhet me zë të ulët), do të joshen biznese që do të krijojnë më shumë vende pune, prosperitet dhe të ardhura tatimore.
Mundet që ndokush ta shtrojë edhe ndryshe: Shumica e grekëve do të duhej të paguajnë shtrenjtë faktin që vendi i tyre është sërish “kompetitiv”. “Kompetivitet” në këtë rast do të thotë pikërisht ajo që nënkuptojnë me këtë term që prej vitesh gjithë qeveritë gjermane: Një shtet duhet të funksionojë ashtu si një ndërmarrje. Nëse “tregjet” nuk i kanë më besim, duhet të reduktojë shpenzimet dhe madje në kurriz të atyre që janë më pak të fuqishëm për t’u mbrojtur.
Në këtë sens, programet ndihmuan me të vërtetë dhe e sollën shpëtimin. E ndihmuan shtetin grek që të shërbejë borxhin e tij, një ndihmë falë së cilës kreditorët ndihmuan kryesisht veten e tyre. Dhe u shpëtua një sistem i cili lejon që të shndërrohen shtetet në pengje të tregjeve financiare, nëse nuk kursejnë para për buxhetin e tyre në kurriz të shtresave të mesme dhe të ulëta.
Disa do të thonë që Greqia u gjende për shkak të vetvetes në qorrsokak. E fshehu për një kohë të gjatë borxhin e vet, favorizoi nepotizmin dhe nuk i mblidhte me drejtësi taksat. Kjo është e vërtetë, dhe askush nuk do të mund të argumentonte kundërshtinë e vet nëse vërtet programi i reformave ndihmonte që të eliminoheshin këto fenomene. Por kjo nuk do të thotë se nuk kishte zgjidhje alternative për t’u rehabilituar versioni neoliberal i kompetivitetit.
Ka pasur shumë propozime nga mjaft ekonomistë për t’u ndihmuar ekonomia greke që të qëndrojë në këmbët e veta përmes një programi të madh investimesh, i cili do të përmirësonte infrastrukturat e vendit (përfshirë sistemin tatimor) duke kapur standardin europian. Po, kjo do të kishte kushtuar para. Mirëpo, kudo ku krijohen unione monetare me nivele të ndryshme zhvillimi, nuk ekziston një mënyrë që të shmanget një sistem solidariteti që e ekuilibron hendekun dhe krijon edhe vende pune.
Përkundrazi, tashmë Greqia “lejohet” të marrë huara në tregun e lirë. Kjo nuk do të ndryshojë gjë në zhvendosjen e miliona qytetarëve të vet nga bota e prosperitetit. Dhe ka disa që ndërkaq parashikojnë krizën e ardhshme të borxhit. A do të ndryshojë Europa mënyrën e të menduarit, atëherë? Sigurisht që jo, nëse nuk ushtrohet presion nga shoqëritë, kështu që t’i jepet një fund iluzionit të besimit në masat shtrënguese”.
Ndaje me miqte