0030 210 33 18 483

Gjermania, mikpritëse e Euro 2024

Tribuna TV 27 Shtator 2018

Gjermania do të jetë vendi pritës i Euro 2024, pas vendimit të Komitetit ekzekutiv të UEFA-s, që u komunikua nga presidenti i futbollit europian, Aleksander Ceferin.

Kandidatura e Gjermanisë dominoi mbi atë të Turqisë, me 12 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa një ishte e pavlefshme.

Në votim morën pjesë 17 nga 19 anëtarët e komitetit, pasi dy prej tyre, presidenti i federatës gjermane të futbollit dhe homologu i tij turk, nuk kishin të drejtë vote.

Gjermania, që ka pritur dy herë kampionatet botërore (më 1974 si RFGJ dhe në 2006 si Gjermani), do të organizojë për herë të parë një europian pas bashkimit të dy Gjermanive. Ia vlen të përmendet, se në vitin 1988 finalet e Euros ishin luajtur në Gjermani, por që atëherë quhej RFGJ.

Kjo ishte hera e katërt që Turqia paraqiste kandidaturën për organizimin e kompeticionit madhor të ekipeve përfaqësuese europiane. Por përsëri nuk ia arriti, ashtu si dhe tri herët e mëparshme. Në 2008 kishte paraqitur kandidaturë të përbashkët me Greqinë, ndërsa pretendoi pa sukses edhe kompeticionet e viteve 2012 dhe 2016.

Euro 2024 do të zhvillohet në stadiumet e dhjetë qyteteve gjermane: në Berlin (ku do të luhet dhe finalja), në Këln, Dortmund, Dyseldorf, Frankfurt, Gelsenkirshen, Hamburg, Leipzig, Mynih dhe Shtutgart.

Do të marrin pjesë 24 ekipe dhe do të luhen 51 ndeshje.

Kujtojmë se Euro 2020 do të luhet në 12 vende europiane, për të kremtuar 60 vjetorin që nga organizimi i parë, ndërsa gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen në stadiumin Wembley të Londrës.

 

Ndaje me miqte