Koha e leximit: 1'55"
Emigracioni dhe plakja e popullsisë mbeten dy nga sfidat më të mëdha që përballon shoqëria shqiptare, të cilat kërkojnë masa konkrete dhe strategji afatgjata.
Megjithatë, anketat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve që rikthehen në vend nuk arrijnë të stabilizohen dhe shpesh vendosin të largohen sërish, duke përjetuar vështirësi më të mëdha se para largimit të parë.
Një studim i Bankës Qendrore të Austrisë në fund të vitit 2024 zbuloi se rreth gjysma e shqiptarëve që ishin rikthyer donin të iknin sërish. Nga ata që kishin jetuar më parë jashtë vendit, 30% raportuan se përballeshin me zhgënjim, ndërsa gjysma e tyre (rreth 50%) po planifikojnë të riemigrojnë.
Shqipëria vazhdon të përballet me nivele të larta të emigracionit, ndërsa të rikthyerit raportojnë përkeqësim të mundësive për punësim dhe jetë të qëndrueshme. Shumë prej tyre, pasi përpiqen të rindërtojnë jetën në vend, përballen me të njëjtat barriera që i detyruan të largohen më parë: pagat e ulëta, rritja e kostove të jetesës, pasiguria institucionale dhe klima ekonomike jo e favorshme për aftësitë dhe eksperiencën e fituar jashtë.
Pritshmëritë e krijuara gjatë emigrimit shpesh nuk përputhen me realitetin e tregut vendas, duke i shtyrë shumë të vendosin të largohen sërish.
Sipas të dhënave të INSTAT dhe organizatave ndërkombëtare, mbi 40% e popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit, një nga nivel më të larta në rajon. Për më tepër, disa emigrantë të rikthyer ndikojnë në rritjen e emigracionit, duke motivuar edhe anëtarë të familjes të lënë vendin.
Këto lëvizje të larta tregojnë se politikat e ri-integrimit nuk po japin rezultatet e pritshme. Edhe pse remitancat vazhdojnë të mbështesin ekonominë, ato nuk po shndërrohen në investime afatgjata dhe zhvillim të qëndrueshëm. Në mungesë të një klimë të besueshme biznesi dhe mbështetje reale për punësim cilësor, shumë prej të rikthyerve shihen si “vizitorë të përkohshëm”, të gatshëm të largohen sapo kuptojnë se realiteti nuk ofron stabilitet.
Në krahasim, Bullgaria është shembull pozitiv në rajon: vendi ka arritur të tërheqë studentë të huaj për studime mjekësore dhe shumë prej tyre vendosin të qëndrojnë aty pas diplomimit. Ndërsa në Shqipëri, arsimi mbetet i lidhur dobët me tregun e punës dhe nuk po shërben si një instrument për zhvillim, por shpesh nxit largimin e të rinjve.