0030 210 33 18 483

Goditje e dyfishtë për presidentin Trump

Tribuna TV 22 Gusht 2018

Presidenti amerikan Donald Trump, ka marrë një goditje të dyfishtë, pasi ish avokati i tij personal  pranoi pranoi fajësinë për shkelje financiare në fushatën zgjedhore dhe implikoi personalisht presidentin.

Në një proces tjetër, shefi i fushatës elektorale të zotit Trump, u gjet fajtor për tetë akuza që lidhem me krime financiare.

Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit Donald Trump dhe dikur njeri i besuar i tij, tha se bashkë me zotin Trump organizuan pagesat prej respektivisht 130.000 dhe 150.000 dollarë, për t’i mbyllur gojën yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels dhe një ish modeleje të Playboy. Të dyja ato pretendonin se kishin kryer marrëdhënie seksuale me presidentin e ardhshëm të SHBA. Pagesat u bënë me qëllimin që të shmanget publikimi i informacioneve që do të “dëmtonin kandidatin”.

Sipas një marrëveshjeje të arritur me prokurorët federalë, 51 vjeçari Cohen mund të dënohet me katër deri në pesë vjet burg. Masa e dënimit do të jepet më 12 dhjetor.

Cohen pranoi fajësinë për gjithsej tetë akuza, duke përfshirë mospagim taksash dhe dhënie të një deklarate të rreme një institucioni financiar.

Pranimi i fajësisë nga Cohen erdhi pas shumë muaj hetimesh të hollësishme federale dhe prishjes së marrëdhënieve të tij me presidentin, për të cilin më parë ai thoshte se ishte gati ta mbronte qoftë edhe nëse “merrte vetë një plumb”.

Të martën, gjatë një vizite për fushatë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth ish-avokatit të tij personal Cohen ndërsa po hipte në avionin presidencial Air Force One.

Presidenti ka shprehur publikisht pakënaqësi për atë që ai thotë se është një ndërhyrje e tepërt e qeverisë, ndërkohë që privatisht është treguar i shqetësuar për materialet që mund të ketë patur në zotërim Cohen, i cili kishte punuar për Organizatën Trump gjatë një dekade. Zoti Trump e quajti bastisjen "një gjueti shtrigash", një sulm ndaj privilegjit avokat-klient dhe një sulm politikisht të motivuar nga armiqtë në FBI.

Para zgjedhjeve, Cohen ishte anëtar i besuar i organizatës Trump dhe punonte në një zyrë në kullën Trump shumë pranë asaj të shefit të tij.

Ai organizoi grumbullimin e miliona dollarëve për fushatën e kandidatit Trump.

 

Manafort shpallet fajtor për 8 nga 18 akuzat kundër tij

Ish udhëheqësi i fushatës se presidentit Donald Trump, Paul Manafort, u gjet fajtor për tetë akuza për krime financiare, që shënon edhe fitoren e parë në një gjykim të ekipit të prokurorit të posaçëm, Robert Mueller, komenton radio "Zeri i Ameriks".

Gjykatësi hodhi poshtë 10 akuza të tjera pasi që anëtarët e jurisë nuk arritën një vendim të njëzëshëm.

Juria shqyrtoi çështjen për katër ditë përpara se të shpallte vendimin në gjykatën federale në Aleksandri të Virxhinias.

Në procesin që zgjati dy javë, prokurorët thanë se Paul Manafort fshehu miliona dollarë në parajsa fiskale për të shmangur tatimet në SHBA.

Ata thanë se shumica e parave erdhën nga lobimi i bërë prej tij për ish-presidentin e rrëzuar të Ukrainës, Viktor Janukoviç përpara se t’i bashkohej fushatës zgjedhore të presidentit Trump në vitin 2016.

Mbrojtja e zotit Manafort nuk thirri në gjyq asnjë dëshmitar dhe tha se prokuroria nuk arriti të provojë mjaftueshëm fajësinë e tij.

Ky është procesi i parë i ndërmarrë nga ekipi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller në lidhje me hetimin e gjerë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Ndaje me miqte