0030 210 33 18 483

Grekë dhe shqiptarë, me besë kundër nazizmit

Tribuna TV 07 Dhjetor 2018

Duke marrë shkas nga vrasja e emigrantit 63 vjeçar nga Shqipëria Petrit Zilfe nga një burrë që sillet të ketë lidhje të ngushta me Agimin e Artë, shqiptarë dhe grekë së bashku bëjnë thirrje që sot (e premte) ora 12,00 “të vendosim një parullë solidariteti në dritaret tona”.

Në tekstin e organizatorëve, publikuar nga mediat greke, thuhet:

Të premten, 7 dhjetor, vendosim një parullë solidariteti në dritaret e shtëpive tona.

Grekët dhe shqiptarët bashkohen që të tregojnë solidaritet ndaj viktimave të racizmit dhe të diskriminimit dhe të luftojnë kundër pranisë gjithmonë e më të shtuar të neonazizmit në Greqi.

Petrit Zilfe, një emigrant shqiptar në Grequ, u vra në mënyrë barbare nga një mbështetës i Agimit të Artë, që është partia e tretë më e fuqishme në parlamentin grek. Vetë parlamenti glorifikoi në tetor 2018 një ekstremist të djathtë i cili urrente marrëdhëniet e mira ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë.

Mediat greke, të cilat që prej dy muajsh kanë ndërmarrë një fushatë pa precedent dezinformomi dhe urrejtjeje ndaj Shqipërisë dhe emigrantëve shqiptarë në Greqi, heshtin para krimit monstruoz. Nuk është hera e parë që neonazistët sulmojnë apo vrasin emigrantë të pafajshëm në Greqi.

Krimet e tyre kundër emigrantëve janë varrosur në heshtjen e mediave greke dhe të politikanëve grekë. Vrasësit nuk ndëshkohen kurrë për krimet raciste.

Madje edhe prezenca e neonazistëve kohët e fundit nëpër shkolla, tregon rritjen e një mjedisi, për fëmijtë dhe të rinjtë në Greqi, shumë helmues dhe të mbushur urrejtje.

Prandaj themi: Mjaft!

Shqiptarët dhe grekët nuk pranojnë që të jenë armiq me njeri-tjetrin. Me qëllim që të jetojmë së bashku në paqe, duhet të luftojmë bashkë kundër nazizmit. Nuk do të lejojmë që vrasjet e njerëzve të pafajshëm të bëhen pjesë e jetës tonë të përditshme.

U bëjmë thirrje motrave e vëllezërve tanë në Greqi e Shqipëri dhe kudo në botë që të ndajnë mesazhe rezistence dhe solidariteti në dritaret e tyre me mbishkrimin #BesaAgainstNazis”, përfundon njoftimi.

Ndaje me miqte